Klinika e Pediatrisë në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka pranuar një donacion të rëndësishëm nga kompania Kids Zone Kosova – Jumbo, i cili synon përmirësimin e kushteve për pacientët më të vegjël.
Sipas njoftimit zyrtar të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK), donacioni përfshin pajisje mjekësore për Repartin Intenziv, konkretisht katetera venoz qendror dhe periferik, me vlerë prej 10 mijë eurosh, transmeton Gazeta Shneta.
Përveç kësaj, është dhënë edhe material didaktik për Shërbimin e Logopedisë në vlerë prej 1 mijë eurosh, i cili do të ndihmojë në zhvillimin dhe mirëqenien psikologjike të fëmijëve.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKUK-së, Mentor Zejnullahu, falënderoi donatorët për këtë gjest human dhe të mirëpritur.
“Ky donacion është një gjest i madh solidariteti. Fëmijët tanë meritojnë kujdesin dhe përkrahjen më të mirë të mundshme, dhe çdo ndihmë që vjen në këtë drejtim është e çmuar. Falënderojmë donatorët për përkushtimin dhe ndjeshmërinë e treguar ndaj këtyre fëmijëve,” tha ai. /Gazeta Shneta/




