Klinika e Syve e hapur në vitin 1974, funksionon me infrastrukturë dhe aparatura të asaj kohe, duke shkaktuar kështu shërbime jocilësore dhe rrezikshmëri në punë për stafin
Në Klinikën e Syve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, shërbimi më i shpeshtë është heqja e perdës së syrit. Operimi i kataraktës është bërë i mundur në vitin 2015, megjithatë klinika ka nevojë për material shpenzues dhe trajnim të stafit në mënyrë që trajtimi i pacientëve të ketë rezultate pozitive, shkruan Gazeta Shneta.
Në koncept-dokumentin për ndihmesë financiare për projekte kapitale të përpiluar nga SHSKUK-ja, gjendja e kësaj klinike nuk përshkruhet hiq e mirë.
Drejtori Florim Zejnullahu e përshkruan gjendjen momentale duke vlerësuar se infrastruktura është e stërvjetruar e cila daton nga viti 1974, vit ky kur është hapur klinika.
Zejnullahu shkruan në dokument se enterieri është i dëmtuar tejmase dhe vështirë për t’u mirëmbajtur dhe mbi 80 për qind e aparaturave janë të para 40 viteve.
“Mbi 80% të aparaturave janë ende të asaj kohe që përditë kanë defekte që krijon pengesa në punë si dhe shumë prej tyre pjesërisht jashtëfunksioni sepse më nuk mund të gjinden pjesë ndërrimi dhe kemi mbetur me improvizime gjë që shkakton rrezikshmëri të lartë në punë”, shkruan Zejnullahu.
Ai shton se momentalisht në klinikë realizohen 6-9 intervenime në ditë ku konsideron se është shumë. Sipas tij, stafi i klinikës është trajnuar me vetfinancim, pasi Ministria e Shëndetësisë nuk ka kthyer përgjigje pozitive.
“Mendojmë se brenda klinikës duhet të vendoset kush do shkoj në trajnime në bazë të profesionalizmit në punë e jo si kanë shkuar në të kaluaren njerëz për trajnime mujore e janë kthyer brenda 2-3 ditëve duke harxhuar buxhetin e ministrisë si dhe duke i zënë vendin pa merita dikujt që me të vërtet ka interesim”.
Zejnullahu shton edhe faktin se në klinikë ka aparatura bashkëkohore për të kryer intervenim vitreoretinal dhe rekonstruktim të segmentit të përparëm-keratolpastikë, por që nuk ka staf të trajnuar dhe material shpenzues i cili është mjaft i kushtueshëm.
“Duke parë që kjo kosto e përgjithshme për këto procedura kirurgjike që momentalisht nuk kryhen në klinikën tonë deri në fund të vitit mund të kalojnë vlerën 2 milionë euro kemi menduar që me 1/10-ën e këtyre mjeteve ne mund të realizojmë këto intervenime në Kliniken e Syve në QKUK”, konsideron Zejnullahu.
Në dokumentin që është përgatitur nga SHSKUK, e i cili është aprovuar nga Këshilli Nacional për Investime ku pritet të gjendet forma e marrjes së një kredie për realizimin e tij, Zejnullahu ka paraqitur edhe kërkesat për klinikën të cilën e udhëheq.
Ai ka thënë se fillimisht duhet rikonstruktimi i plotë i klinikës, ambulanta specialistike, diagnostikën, katër reparte, sallë operative dhe administratën.
Poashtu kërkohet blerja e aparaturave oftalmologjike, enterier standard dhe subzpecializim dhe trajnime të mëtejshme të stafit.
Krejt ky projekt parashihet të realizohet me rreth 3 milionë euro. /Gazeta Shneta/