Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF ka reaguar pas mos-ekzekutimit të pagesave nga Komuna e Gjilanit ndaj organizatave joqeveritare që ofrojnë shërbime sociale falas për fëmijët dhe familjet në nevojë.
Pagesat ishin parashikuar me kontrata të nënshkruara më 16 korrik 2025.
Sipas KOMF, pavarësisht se projektet e organizatave janë përzgjedhur nga Komuna dhe obligimet kontraktuale janë marrë, pagesat nuk janë realizuar ende. Si pasojë, rrezikohet funksionimi i shërbimeve sociale dhe cenohen mirëqenia dhe mbrojtja e qytetarëve përfituese, transmeton Gazeta Shneta.
“Kjo situatë cenon rëndë mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve përfituese, dhe vë në rrezik qëndrueshmërinë e ofrimit të shërbimeve sociale, në një kohë kur nevoja për këto shërbime është më e madhe se kurrë”ka shkruar KOMF në Facecook
KOMF thekson se mos-ekzekutimi i pagesave mund të shkaktojë ndërprerje të shërbimeve jetike, duke përfshirë trajtimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, përkujdesjen për fëmijët pa kujdes prindëror, si dhe mbështetjen për personat me varësi ndaj drogës. Po ashtu, kjo situatë rrit pasigurinë sociale dhe dëmton besimin mes organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve publike.
Koalicioni ka bërë thirrje urgjente që Komuna e Gjilanit të ekzekutojë pagesat, të sigurojë një plan transparent për përmbushjen e obligimeve financiare dhe të garantojë që praktika të tilla të mos përsëriten.
“Shërbimet sociale nuk mund të trajtohen si çështje dytësore buxhetore. Ato janë detyrim ligjor, moral dhe njerëzor.” thuhet në njoftimin e KOMF-it.




