Kompania polake e barnave “Bioton”, e cila prodhon insulinën e llojit “Gensulinë M3” dhe “Gensulinë R”, i ka paditur për shpifje endokrinologët Bardhyl Gashi dhe Luan Gola, pas deklaratave të tyre të cilët thonin se këto insulina nuk kanë asnjë studim klinik dhe nuk është faqe e regjistruar në Agjencinë Evropiane të Medikamenteve.
Kjo kompani po pretendon se të gjitha deklarimet e tyre për efektin e barit, licencën dhe cilësinë e tij, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë.
Artan Qerkini, avokat i kompanisë “Bioton”, thotë se të dy mjekët nuk pranuan asnjë ballafaqim dhe as komentet e kompanisë për këtë bari.
Për më tepër, Qerkini thotë se asnjëherë nuk morën vërejtje nga institucionet zyrtare për efektet e këtij bari dhe cilësinë e tij.
Megjithatë, që të dy endokrinologët e paditur thonë se qëndrojnë prapa deklaratave të bëra gjatë këtyre viteve.
Ndonëse nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, kreu i Shoqatës së endokrinologëve dhe Diabetologëve, Bardhyl Gashi, përmes telefonit ka thënë se të gjitha deklarimet e tij janë zyrtare dhe se peticioni dhe kërkesat e shoqatës së endokrinologëve dhe diabetologëve të Kosovës për këtë insulinë nuk ndikuan që Ministria e Shëndetësisë të mos e nënshkruante tenderin për këtë insulinë.
Ndërsa, endokrinologu Luan Gola ka thënë se deklarimet e tij se kjo insulinë nuk ka asnjë studim klinik dhe nuk është faqe e regjistruar në Agjencinë Evropiane të Medikamenteve vazhdojnë të qëndrojnë dhe janë shumë lehtë të verifikueshme.
Të njëjtën deklaratë, Gola e kishte bërë para më shumë se një jave në një tryezë, pjesë e së cilës ishin edhe zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë.
I gjithë debati rreth insulinës nisi vite më parë kur Shoqata e endokrinologëve dhe Diabetologëve të Kosovës, ngriti shqetësimin se lloji i insulinës Gensulinë, i cili është kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë, nuk po jep efektet e duhura te pacientët.
Kjo shoqatë, në vazhdimësi kërkoi sqarime se përse MSH-ja kontraktoi këtë lloj bari, i cili sipas tyre, nuk është i regjistruar në Agjencinë Evropiane të Medikamenteve.