Në Prishtinë u mbajt Konferenca shkencore e Shoqatës së Anesteziologëve dhe Intensivistëve të Kosovës (ShAIK), e dedikuar veçanërisht promovimit dhe mbështetjes së specialistëve të rinj në fushën e anesteziologjisë dhe mjekimit intensiv.
Në këtë ngjarje profesionale, kryetarja e SHAIK, Prof. Ass. Dr Agreta Gecaj-Gashi, iu drejtua pjesëmarrësve me një fjalë rasti, duke theksuar rëndësinë e rolit të gjeneratës së re të mjekëve në sistemin shëndetësor të Kosovës, përcjell Gazeta Shneta.
Ajo uroi specialistët e rinj për arritjen e këtij suksesi profesional, duke e cilësuar këtë moment si një arritje të rëndësishme jo vetëm individuale, por edhe për gjithë anesteziologjinë kosovare. Sipas saj, konferenca është organizuar me qëllim të promovimit të tyre si gjeneratë me potencial, përgjegjësi dhe mision të madh profesional.
Në mesazhin e saj, Gecaj-Gashi theksoi se anesteziologjia dhe mjekimi intensiv janë profesione me përgjegjësi të lartë, ku vendimet shpesh merren në situata kritike mes jetës dhe vdekjes. Ajo nënvizoi se rruga profesionale e mjekëve të rinj nuk është e lehtë, por kërkon përkushtim, dije dhe qëndrueshmëri emocionale.
Një nga mesazhet kryesore të saj ishte rëndësia e respektimit të sigurisë së pacientit si prioritet absolut. Ajo theksoi se mjekët nuk duhet të bëjnë kompromis me kushtet e pasigurta të trajtimit, duke e cilësuar sigurinë e pacientit si standard të artë në praktikën mjekësore.
Gjithashtu, ajo theksoi rëndësinë e komunikimit profesional, bashkëpunimit mes ekipeve mjekësore dhe ruajtjes së dinjitetit profesional. Sipas saj, mjekët specialistë duhet të bazohen në kompetencë dhe integritet, jo në nënshtrim apo presion të jashtëm.
Në përmbyllje, kryetarja e SHAIK theksoi se mjekësia nuk duhet të reduktohet vetëm në aspektin material, por duhet të mbetet një thirrje humane për shpëtimin e jetës dhe lehtësimin e dhimbjes së pacientëve. /Gazeta Shneta/




