Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka hapur konkurset e brendshme për kryeinfermierë në klinika.
Gjatë ditës së djeshme është mbyllur konkursi për kryeinfermierë për 10 klinika me mandat tre vjeçar dhe mundësi rizgjedhjeje edhe për një mandat tjetër. Kryeinfermieret do të kenë koeficient të pagës 7.2, shkruan Gazeta Shneta.
Në konkursin e parë pas disa vitesh për këto pozita janë përfshirë klinika e Kirurgjisë Torakale, Kirurgjisë Vaskulare, Oftalmologjisë, Onkologjisë, Psikiatrisë Forenzike, dhe klinikat e internos Kardiokirurgji, Reumatologji, Endokrinologji, Gastroenterologji dhe Nefrologji.
Në interno nuk është hapur konkursi edhe për Klinikën e Kardiologjisë ku aktualisht ushtruese e detyrës së kryeinfermieres është Minire Bekteshi.
Në konkurs kërkohet që kandidatet të kenë diplomë të infermierisë, ndërsa përparësi kanë kandidatët me diplomën Bachellor. Në konkurs kërkohet që kandidatët të kenë njohuri për menaxhimin, por nuk kërkohet domosdoshmërisht të kenë përvojë menaxheriale. /Gazeta Shneta/