Autoritetet austriake kanë tërhequr nga tregu disa kavanoza ushqimi për foshnja pas zbulimit të një substance helmuese që përdoret kundër brejtësve. Produktet e prekura, të markës organike HiPP, janë shitur në rrjetin e supermarketeve SPAR në Austri, si dhe në disa zona të Sllovakisë dhe Republikës Çeke. Sipas zyrtarëve, rasti po trajtohet si ndërhyrje e qëllimshme kriminale dhe jo si defekt në procesin e prodhimit.
Sipas burimit Euronews Health, kontaminimi u konfirmua më 19 prill, pasi analizat e para pozitive u regjistruan një ditë më herët. Bëhet fjalë për kavanoza 190 gramësh me ushqim për foshnja me përbërje karrote dhe patate, të destinuara për fëmijë mbi pesë muajsh, transmeton Gazeta Shneta.
Kompania HiPP deklaroi se produktet kanë dalë nga fabrika në gjendje të rregullt dhe pa asnjë problem cilësor, duke theksuar se incidenti lidhet me një akt kriminal që aktualisht po hetohet.
Policia në rajonin e Burgenlandit u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve të kontrollojnë me kujdes çdo kavanoz të blerë së fundmi.
Shenjat që mund të tregojnë ndërhyrje përfshijnë një ngjitëse të bardhë me rreth të kuq në fund të kavanozit, kapak të dëmtuar ose të hapur më parë, si dhe erë të pazakontë apo të prishur.
Gjithashtu, mungesa e zhurmës karakteristike gjatë hapjes së parë mund të jetë një tregues tjetër i manipulimit.
Alarmi u ngrit pasi një konsumator raportoi një produkt që dukej i prekur. Deri më tani nuk është raportuar asnjë rast konsumimi i ushqimit të kontaminuar.
Substanca e zbuluar dyshohet të jetë bromadioloni, një antikoagulant që pengon mpiksjen e gjakut dhe përdoret zakonisht në helmet për minj.
Edhe sasi të vogla mund të paraqesin rrezik serioz për foshnjat. Simptomat e helmimit mund të shfaqen pas disa ditësh dhe përfshijnë gjakderdhje nga mishrat e dhëmbëve, gjak nga hunda, mavijosje të pashpjegueshme dhe gjak në feçe.
Trajtimi është i mundur përmes administrimit të vitaminës K.
Të gjitha produktet HiPP në Austri janë tërhequr si masë parandaluese dhe konsumatorët mund të marrin rimbursim të plotë pa nevojën e faturës. Hetimet për identifikimin e autorëve po vazhdojnë. /Gazeta Shneta/




