Produkte kontraceptive me vlerë 10 milionë dollarë, të financuara nga SHBA dhe të ruajtura në një magazinë në qytetin Geel të Belgjikës, rrezikojnë të digjen pas mbylljes së Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Stoku përfshin mbi 50,000 pajisje intrauterine, afro dy milionë doza injektuese dhe mbi dy milionë pako pilula kontraceptive, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Këto produkte ishin të destinuara për shpërndarje në vendet me të ardhura të ulëta, por pas shpërbërjes së USAID, shumë projekte u braktisën.
Pavarësisht se afatet e skadencës janë ndërmjet viteve 2027 dhe 2031, qeveria amerikane ka në plan t’i asgjësojë ato, gjë që ka shkaktuar reagime të ashpra nga grupet e shoqërisë civile.
Micah Grzywnowicz nga Federata Ndërkombëtare për Planifikimin Familjar (IPPF) e cilësoi veprimin si “hipokrizi të thellë” dhe ofroi që IPPF t’i marrë produktet, t’i ripaketojë në Holandë dhe t’i shpërndajë pa kosto për qeverinë amerikane.
Edhe organizata si UNFPA dhe MSI Reproductive Choices janë shprehur të gatshme për të ndihmuar, por të gjitha ofertat raportohet se janë refuzuar nga administrata Trump.
Qeveria belge ka konfirmuar kontakte me ambasadën amerikane dhe po shqyrton mundësinë e zhvendosjes së përkohshme të furnizimeve.
Si reagim, eurodeputetët francezë të të Gjelbërve i kanë bërë thirrje presidentit Macron të ndërhyjë, duke paralajmëruar se shkatërrimi i këtyre kontraceptivëve rrezikon shëndetin e grave në vendet në zhvillim, veçanërisht në Afrikë.
Komisioni Evropian tha se ka marrë dijeni për shqetësimet dhe nënvizoi përkushtimin e BE-së për të mbështetur të drejtat seksuale dhe riprodhuese si pjesë e zhvillimit social dhe ekonomik. /Gazeta Shneta/




