Në Kosovë ka ekspertë të mjaftueshëm për trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare, të cilët mbulojnë pothuajse të gjitha patologjitë. Specialistët apelojnë për vetëdijesimin e pacientëve për këto sëmundje, ndërsa japin argumentet pse qytetarët nuk kanë nevojë të kërkojnë shërim jashtë vendit
Sëmundjet kardiovaskulare llogariten të jenë faktori kryesor i vdekjeve në botë. Këtu nuk bën përjashtim as Kosova. Por vendi ynë nuk bën përjashtim as në potencialin për trajtimin e këtyre sëmundjeve, në krahasim me vendet tjera. Në Kosovë konsiderohet se ka ekspertë të mjaftueshëm për mjekimin dhe shërimin e pothuajse të gjitha patologjive të zemrës.
Për vlerësimin e gjendjes së kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë në Kosovë, Gazeta Shneta ka biseduar me dy specialistë të të dy fushave, Dr. Daut Gorani dhe Dr. Fatos Kojqiqi. Të dy vlerësojnë se mjekët e zemrës në Kosovë janë mjaftueshëm të zotë për të trajtuar pacientët, ndërsa poashtu pajtohen se shteti dhe politika duhet të ketë angazhim më të madh në përmirësimin e kushteve.
Dr. Fatos Kojqiqi, kardiokirurg në Spitalin Amerikan në Prishtinë, thotë se mjekësia në Kosovë është shumë e politizuar dhe gjëja e parë që duhet bërë për përmirësimin e saj është vendosja e ekspertëve në pozitat udhëheqëse. Ai kërkon të ketë më shumë mbikëqyrje në sistemin privat si në cilësinë e shërbimeve, ashtu edhe në koston financiare të tyre.
Kojqiqi konsideron se një nga zgjidhjet është riorganizimi dhe funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore. Ai thotë se është shumë e vështirë për shtetin që të ofrojë cilësi në mjekësi e cila shërbehet falas duke u bazuar vetëm tek taksapaguesit. Kjo për faktin që shëndetësia ka kosto të lartë dhe nuk mund të përballohet pa sigurime shëndetësore sikurse ka ndodhur edhe në vendet e zhvilluara të botës.
Në anën tjetër, Dr. Daut Gorani – kardiolog në Klinikën e Kardiologjisë Invazive në QKUK, kërkon më shumë përkrahje nga shteti për furnizimin e klinikës me materiale dhe trajnime jashtë vendit. Sipas tij, klinika ka nevojë për shumëllojshmëri të materialit sepse suksesi varet nga kjo për shkak se ekzistojnë stenta, katetere e ballona me dimensione të ndryshme.
“Prandaj apeloj me na mbështet me material dhe sigurisht me trajnime jashtë vendit në mënyrë që t’i mbulojmë zbrazëtirat tona. Shkollimi i mjekëve do të ishte shumë më i lirë sesa trajtimi i pacientëve jashtë vendit. Një trajtim i një pacienti mund të kushtojë më shumë sesa specializimi i 2-3 kardiologëve jashtë vendit”, thotë Gorani.
Sëmundjet e zemrës gjejnë shërim në Kosovë
Pavarësisht mangësive në sistem apo furnizim, në Kosovë ka kardiokirurg dhe kardiolog që trajtojnë mbi 95 për qind të patologjive të zemrës. Gorani thotë se vitet e fundit kardiologjia, sidomos pjesa invazive, ka përjetuar një renesancë me një zhvillim të furishëm. Sipas tij, funksionalizimi i klinikës me punë 24 orëshe ka zgjidhur çështjen e trajtimit të infarktit, i cili është dominon për ka numri i pacientëve me mbi 10 raste në ditë, shkruan Gazeta Shneta.
“Infarktet, rastet elektive, stentimit dhe trajtimit të rasteve me azhuritet mund të them se pacientët kosovarë nuk kanë nevojë të dalin jashtë Kosovës për kardiologji invazive”, thotë Gorani.
Kojqiqi në anën tjetër vlerëson se në Kosovë ka ekspertë dhe specialistë te mjaftueshem të lëmive të ndryshme. Ai thotë se edhe në diasporë ka shqiptarë që kanë arritur suksese të mëdha në vende të ndryshme të Evropës dhe që janë të gatshëm të kontribuojnë në vendin tonë. “Kosova tanimë është bukur mirë e mbuluar nga kardiologët dhe kardiokirurgët. Ajo çka mungon është besimi ndërsjell mjek-pacient. Pacientët kosovarë fatkeqësisht e kanë humbur besimin dhe për këtë ndoshta kanë një arsye. Ne mjekët duhet të bëjmë më shumë për të rikthyer besimin dhe një kontribut në këtë drejtim do të ishte kontrolli i cilësisë mjeksore që ofrohet tek ne”, ka thënë Kojqiqi.
“Fatkeqësisht shëndetësia është bërë edhe biznes dhe vendet fqinje po investojnë për t’i dërguar pacientët atje. Deri tani e posaçërisht në dy vitet e fundit ka qenë një armiqësi e pakuptimtë duke filluar nga sistemi publiko-privat për të vazhduar brenda spitaleve, brenda klinikave specifike, brenda operacioneve e kolegeve deri tek portirët e spitalit. Ky konflikt i pandershëm dhe qëllim keq, ka kontribuar shumë për dalje të pacientëve jashtë vendit”, thotë Kojqiqi.
Ai vlerëson se operacionet e zemrës që ofrohen në Kosovë kanë një cilësi shumë të lartë dhe larg nga vendet e rajonit. “Operacionet në zemër të rrahur dhe vetëm me arterie, tani më janë standard tek ne dhe bëhen në mbi 90 % të rasteve. Poashtu të gjitha sëmundjet tjera të zemrës, përveç transplantit, realizohen në vend. Rezultat janë ekselente, vetëm vitin e kaluar kemi pas vdekshmëri 1.6 që mund të krahasohet me qendrat me përvojë të gjatë mbi 50-vjeçare në Evropë. Prandaj është e panevojshme dhe shpesh here edhe e rrezikshme nevoja dhe kërkesa për trajtim të sëmundjeve të zemrës jashtë Kosovës”, deklaron Kojqiqi.
Ai bën thirrje që politikat shëndetësore të kenë vizion të qartë nga ekspertë të mirëfilltë dhe po ashtu cilësia e shërbimeve të kontrollohet si dhe të ketë nivelizim dhe standardizim të çmimeve. “Në mjekësi duhet të bëhemi më transparent. Të mësohemi të flasim më shumë për gabimet mjekësore, të bisedojmë për parandalimin dhe evitimin e tyre duke ditur se ato janë faktori i tretë i vdekshmërisë së pacientëve. Për këtë kërkohet transparencë që rritet kualiteti dhe të kthehet besimi i pacientëve në mjekësinë kosovare”, thotë Kojqiqi.
Edhe Gorani konsideron se në Kosovë ka specialistë të mjaftueshëm për trajtimin e patologjisë kardiovaskulare. “Në kardiokirurgji tani kemi një numër të specialistëve, ka performancë të mirë dhe përveç bypaseve dhe problemeve valvulare, trajtohen diseksionet e aortës dhe problemet tjera. Në përgjithësi mbulimi i patologjisë kardiovaskulare është i mirë, përveç mungesës së elektrofioziologjisë për të cilën nuk kemi as sistem dhe as kuadro”, thotë Gorani.
“Mund të them se 95 për qind e patologjisë kardiovaskulare mund të zgjidhen në Kosovë, sidomos në Qendrën Klinike Universitare. Unë çuditem pse kosovarët ende kërkojnë trajtim në vendet e rajonit”, deklaron tutje ai.
Duhani, shkaktari kryesor i sëmundjeve të zemrës
Konsumimi i duhanit mbetet shkaktari kryesor i sëmundjeve të zemrës. Mjekët thonë se ka një ngritje të vetëdijes tek qytetarët, por ende mbetet punë për t’u bërë me fushata e sensibilizim.
“Qytetarët janë vetdijësuar më shumë, vijnë shpesh në vizita, por mbetet akoma punë për t’u bërë. Duhanpirja është një prej shkaktarëve më të mëdhenj për mbylljen e arterieve koronare dhe qytetarët tanë janë duhanpirës të mëdhenj fatkeqësisht. Poashtu nuk janë të disiplinuar në aspektin e ushqimit, ka hapësirë ende për vetëdijësim dhe edukim të popullatës për të zvogëluar incidencën e sëmundjeve vaskulare”, deklaron kardiologu Gorani.
Kojqiqi thotë se vetëdijesimi në Kosovë për sëmundjet kardiovaskulare nuk është rritur aq sa duhet. “Popullata sensibilizohet ne rastet e publikimit te ndonje rasti te rende neper media dhe me pas gjithçka harrohet dhe rikthehet në gjumë. Duhani është një nga faktorët e rrezikut dhe konsumimi i tij në Kosovë është shumë i lartë. Derisa një nga faktorët e rëndësishëm të parandalimit të sëmundjeve kardivaskulare është lëvizja, sporti e cila tek ne nuk preferohet shumë. Prishtina është vend i vogël dhe pothuajse të gjithë udhëtojnë me vetura. Lëvizja me këmbë do të ishte fenomenale, si për parandalim të mbipeshës apo diabetit që janë faktorë të rëndësishëm risku të sëmundjeve kardiovaskulare, por kjo ndodh shumë pak”, është shprehur kardiokirurgu Kojqiqi. /Gazeta Shneta/