Në prezantimin e projektit “Diagnoza dhe mbikëqyrja e etheve hemorragjike Krime-Kongo, Biosiguria në Kosovë 2013-2016 & 2017-2019”, është thënë se Kosova mbetet një rajon endemik sa i përket etheve hemorragjike
Sëmundja e etheve hemorragjike në Kosovë është paraqitur për herë të parë në vitin 1954. Ajo transmetohet përmes rriqrave apo përmes kontaktit me njerëzit e prekur nga kjo sëmundje, shkruan Gazeta Shneta.
Gjatë viteve 2013-2016 ndihmë kanë kërkuar 2394 persona të moshave nga të porsalindur deri në 75 vjeçar, të cilët janë prekur apo kanë dyshuar për ethe hemorragjike. 11 persona kanë vdekur nga kjo sëmundje brenda kësaj periudhe.
Numri më i madh i rasteve kanë qenë në Malishevë, ku përbëjnë 50 për qind të të prekurve dhe 6 raste të vdekjeve.
Në klinikën Infektive të QKUK-së thonë se ka qenë shumë e vështirë të bëhet diagnoza.
Dr. Lindita Ajazaj-Berisha, gjatë prezantimit të rezultateve të projektit, ka thënë se Kosova vazhdon të mbetet rajon endemik sa i përket etheve hemorragjike ku paraqitet me forma të rënda të sëmundjes dhe përfundime fatale nw periudha prej 4-5 vite.
“Përkundër rënies së rasteve në dy vitet e fundit, prevenca dhe mbikëqyrja duhet të vazhdojë me ritëm të njëjtë”, ka deklaruar ajo.
Dr. Petra Emmerich nga Ministria e Jashtme e Gjermanisë, e cila e ka përkrahur projektin, ka bërë të ditur se Qeveria gjermane është e interesuar në parandalimin e shkaqeve të sëmundjeve infektive që mund të shndërrohen në armë biologjike – ku bënë pjesë edhe virusi Krime-Kongo.
“Për shkak të rritjes së rasteve të etheve hemorragjike në Kosovë, ne kemi filluar projektin në vitin 2013 dhe paratë janë shpenzuar në përmirësim dhe përkrahje në formë të pajisjeve dhe materialeve për diagnostik, financim të stafit dhe përkrahje në thirrje të pacientëve për vizita të përsëritura dhe trajnim në biosiguri”, ka bërë të ditur Emmerich.
Drejtori i Klinikës Infektive Hamdi Ramadani, ka falënderuar popullin gjerman për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës. Ai ka thënë se kjo klinikë bënë edhe kërkime profesionale e shkencore, për çka ka falënderuar Qeverinë e Gjermanisë. /Gazeta Shneta/