Është padyshim shërbimi që ka parë më shumë lot, dhimbje e lutje në emër të jetës. Një armatë e madhe profesionistësh punojnë në shërbimin e onkologjisë me profesionalizëm të lartë për të përmbushur detyrën e tyre, në shërbim të pacientëve.
Lufta e përditshme me kancerin, nuk është vetëm e pacientëve por edhe e mjekëve edhe e infermierëve. Ata përjetojnë njësoj me dhimbje, çdo humbje.
Në respekt të kësaj pune, shefja e shërbimit të infermierisë në spitalin onkologjik, znj Ana Luca, ka surprizuar sot skuadrën e saj në Ditën e Ndërkombëtare të Infermierisë, shkruan propacinetit.com.
Ajo ka shkruar disa rreshta për kolegët duke i konsideruar ata feniksë të shërbimit të onkologjisë.
Teksti i plotë i kryeinfermieres, Ana Luca
Sot është dita jonë, dita juaj.
Ju jeni engjëj pa krah të sistemit shëndetësor që përballeni me sëmundjen e shekullit. Që përballeni me dhimbjen e sëmundjes ku herë prek kufinjtë qiellore e herë të bën të fortë si guri, e ju bën që të doni më shumë jetën.
Jeni ju që përballeni me furtunën e pacientëve dhe familjarëve kur nuk arrijnë dot të kalojnë barrierën e mjekut, e më pas po ju iu fshini lotët.
Jeni ju që qeshni me pahir për të dhënë forcë, aty ku forca ka humbur drejtimin e anijes. E jeni ju që strukeni kur lodheni me shpresën mos t’u shohin.
Jeni ju që duroni ulërima dhe ofendime e përsëri ju dhuroni kujdes e dashuri duke harruar çdo fjalë të thënë.
Jeni ju që jeni të parët në çdo betejë edhe pse në disa raste këto beteja janë të humbura. Ku disa herë rrëzoheni në gjunjë e shumë herë ngriheni në këmbë.
Ju që duroni çdo trysni e jeni ju që shpëtoni jetë edhe pse shumë herë nuk i merrni ju kreditet.
Ju jeni të fuqishëm/e
Të dashur/a
Të pavarur/a
Të motivuar/a
Të palodhur/a
Të besueshëm/e
Të dedikuar/a
Të dhimbsur/a
Për ju që jeni “feniksi” i shërbimit onkologjik.
Përulësisht, gëzuar Ditën e Infermierit.