Kryeministri Albin Kurti ka thënë sot se dëshiron që të ketë ndryshime në udhëheqësinë e sindikatave të shëndetësisë.
Këtë deklaratë Kurti e ka dhënë gjatë konferencës për media bashkë me ministrin e Shëndetësisë Rifat Latifi, ku janë prezantuar masat e reja të cilat do të hyjnë në fuqi ditën e sotme, shkruan Gazeta Shneta.
Kurti është pyetur nga gazetari Bujar Vitija, nëse ka ndërmarr diçka për të plotësuar kërkesat e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë të cilët organizuan dy greva tetë orëshe në dy javët e fundit.
Kryeministri ka thënë se ka mirëkuptim për grevat, por kur ato janë të ligjshme, duke lënë të nënkutpohet se grevat e organizuara nga FSSHK janë të jashtëligjshme.
“Natyrisht që unë i kuptoj grevat, mirëpo mirëkuptimi im varet nga ligjshmëria e tyre. Duhet të kemi greva të ligjshme, veçse Qeveria po bën gjithçka që t’ju dal në ndihmë punëtorëve shëndetësorë dhe ju jemi përjetësisht mirënjohës për angazhimin e deritanishëm dhe të vazhdueshëm”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se uron të ketë ndryshime në udhëheqësinë e sindikatave të shëndetësisë, pasi sipas tij, nuk mjafton që punëtorët shëndetësorë të përfaqësohen nga njerëzit e njëjtë.
“Mundësitë e Kosovës janë relativisht të vogla. Ne e dimë se në çfarë gjendje ndodhet sistemi shëndetësor dhe shërbimet mjekësore për shkak të neglizhencës për më shumë se dy dekada. Unë kam takuar më herët udhëheqësit e sindikatave të punëtorëve shëndetësorë, padyshim që do t;i takoj edhe në të ardhmen. Por uroj që të ketë ndryshime, sikurse në politikë, unë besoj se duhet të ketë ndryshime edhe cdo sferë të jetës shoqërore e profesionale. Jam i bindur se edhe punëtorët shëndetësorë nuk mjaftohen që të vazhdojnë t’i përfaqësojnë të njëjtit njerëz kushdo qofshin ata apo kudo qofshin ata”, ka deklaruar Kurti.
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë udhëhiqet nga kryetari Blerim Syla. FSSHK ka mbajtur dy protesta dhe dy greva tetë orëshe në muajin e fundit duke kërkuar takim me krerët e Qeverisë, si dhe procedimin e Ligjit të Pagave.
Për udhëheqësinë e FSSHK-së ka folur ditë më parë edhe ministri i Financave Hekuran Murati, i cili tha se në pesë vjetët e fundit kjo sindikatë ka përfituar mbi 3 milionë euro nga kontributet e punëtorëve shëndetësorë dhe sipas tij nuk dihet se ku kanë përfunduar këto para. /Gazeta Shneta/




