“Mënyra më e mirë për të kapërcyer frikën është ta përballosh atë, mos pretendoni se nuk keni frikë kur jeni të prekur nga kanceri i gjirit”- është ky mesazhi që dha një nga shkrimtaret e njohura kur para një audience nisi të rrëfente historinë e saj.
Një dhuratë për gratë e tjera që luftojnë si ato, për të dashurit e tyre dhe për të gjithë njerëzit që janë kujdesur për to. Tregimet e këtyre grave që dëshmojnë se si sëmundja i ka bërë shumë më të forta dhe luftarake, deri në atë pikë, sa kanë bërë një kthesë vendimtare në jetën e tyre.
Faleminderit për shembullin që na jepni, mësuese të mrekullueshme të jetës! Sevdija, 42 vjeçare, ka dy fëmijë, në moshën 38 u diagnostikua me kancer gjiri
Të them të vërtetën pranova të tregoj për sëmundjen time, jo pse mendoj se mund të ndihmoj gra tjera, por sepse dua thjeshtë të kallëzoj se çfarë kam ndjerë atëherë dhe sot. Kur doktori më kumtoi lajmin se kisha këtë sëmundje të tmerrshme, kisha frikë të madhe se do të vdisja, kam qarë ditë të tëra, fëmijët, jeta ime, bashkëshorti, prindërit…gjithçka më vinte në kokë. Pastaj gjithçka ndodhi shpejt, operacioni, terapitë, optimizmi që gjithkush përpiqet ta ketë…madje – madje e vetmja këshillë e sinqertë që më jepnin që nga mjekët e deri te një njeri i thjeshtë që kuptonte se kisha kancer ishte: mos u mërzit…Në fakt unë nuk mërzitesha, por isha e frikësuar deri në palcë, e tmerruar dhe e pashpresë, mërzitja është diçka komplet tjetër. Përpiqeshin të m jepnin forcë, që të mos bija në depresion, donin të më bindnin se çdo gjë ishte shumë mirë dhe se tashmë kanceri ishte diçka e së shkuarës. Asnjë nga këto nuk është e vërtetë…
Unë vazhdojë të jem një grua e lumtur, një nënë e dashur, një kolege në punë, gjithmonë e rrethuar me miq të mirë, por në mbrëmje, kur unë jam vetëm, atëherë unë e heq maskën që vendos gjatë ditës dhe më pushton një frikë e madhe. Në fakt tani fle shumë pak dhe keq, çdo herë që unë mendoj në lidhje me sëmundjen ose kur bëj kontrollet më pushton një makth … Unë u përpoqa të bisedoj me një psikolog, por në thelb e kuptoj që as ai nuk më ndihmon. Është gjithashtu e vërtetë se askush nuk ka ndonjë siguri në jetë se sa apo si do të jetojë, por unë i kam humbur ato katër vjet më parë … Jeta ime ka ndryshuar, unë kam gjithmonë frikë se sëmundja mund të më kthehet.
Ajo çfarë më frikëson është se kësaj radhe nuk do të gjej forcë të merrem me të, kjo është arsyeja pse nuk pranoje të flisja për revistën tuaj, për ato gra që do të lexojnë rrëfimin tim, nuk e dija nëse do të gjeja fjalë ngushëlluese, por doja të tregoja vetëm atë që ndjeja realisht pa emër dhe mbiemër të vërtetë. Sepse, ashtu siç kam pasur frikë se mos vdisja atëherë ashtu kam edhe tani, kjo frikë është ende gjallë te unë. Sigurisht mjekësia ka bërë përparime, shëron, por frika mbetet. Edhe sot unë shoh gjoksin tim si diçka të huaj, që më bëri të vuaj, dhe se tani nuk është më e imja. Pacienti i kancerit do të jetë gjithmonë i tillë.
Teuta, 35 vjeçe, pa fëmijë, kancer gjiri
Dhjetor 2011, mamografi e zakonshme. Pastaj telefonoi gjinekologu im: “Ka mikrokalkulime, është më mirë të bëjmë një biopsi”. 12 dhjetor, biopsi. 18 dhjetor, takim me gjinekologun. Shkova. Nga mënyra se si ai më shikonte, kuptova shumë shpejt se diçka nuk shkonte. “Janë qeliza prekanceroze, më mirë t’i pastrojmë. Kur dëshiron, nuk ka asnjë nxitim. ” Prekanceroze … bërtita. Kur do bëjmë operacionin? Çfarë pyetje … menjëherë! Nuk ishte një Vit i Ri i qetë. U thashë familjarëve në datën 31 dhjetor. Më 9 janar hyra në spital.
Gjatë kontrollit kuptova menjëherë se diçka nuk shkonte mirë: “Patologu ka gjetur një tumor të vogël, më pak se një milimetër, kështu që ne duhet ta heqim shenjën e gjëndrës. Rri e qetë, nuk do të ketë asgjë shqetësuese. ” Kancer, nyje limfatike. Rri e qetë. Më dukej sikur më kishin goditur me grushte. Vetëm bërtisja. Tumori është tumor, pa marrë parasysh sa i madh është. Më telefonoi nëna, më tha se cdo gjë do të kalonte dhe se do bëhesha mirë. Prej atij momenti, vendosa që do të luftoja për jetë time. I rregullova gjërat në punën time dhe isha përballë asaj që prisja.
Më 23 janar hoqa nyjën limfatike, ajo ishte e pastër. Pas dy ditësh shkova në shtëpi. Ende nuk e dija se çfarë më priste edhe pse ata ma kishin përmendur terapinë dhe rrezatimin. Unë, e pasionuara pas teknologjisë, nuk kërkova për informacione. Iu besova mjekëve të mi. Takova onkologun dhe radioterapistin dhe fillova rrugën time të trajtimit. Vendosa që çdo ditë do të bëja diçka të bukur. Gjashtë javë rreze, çdo ditë, pesë ditë në javë, në të njëjtën kohë.
Çdo ditë me buzëqeshje. Çdo ditë një dhuratë e vogël: një drekë me një mik, një frizurë të re, një buzëkuq, një fustan … Dhe erdha të mendoj se kjo e papritur ishte një dhuratë që jeta më bëri. Duke më kujtuar se sa e rëndësishme është, sa e shkurtër, sa e shenjtë…sa shumë dashuri duhet të japim, pavarësisht marrim apo jo. Ishte një periudhë intensive e mbushur me lot, dashuri, vuajtje, pasione, ju nuk e keni idenë sesi më ndryshoi…nuk kam fëmijë, por o Zot, do të doja të kisha shumë, e rrethuar nga ata. /RevistaFlatra