Ka nisur me sukses sesioni dyditor i punës për zhvillimin e materialeve edukative dhe promovuese të shëndetit, të dedikuara për pacientët që jetojnë me diabet dhe hipertension në Kosovë.
Ky aktivitet i rëndësishëm, i organizuar nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës dhe i udhëhequr nga Prof. Dr. Merita Berisha nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), përfshin një grup të gjerë profesionistësh shëndetësorë dhe partnerësh të tjerë relevantë.
Në përbërje të grupit punues janë mjekë dhe infermierë nga spitalet e përgjithshme të Pejës dhe Gjakovës, përfaqësues të pacientëve, nutricionistë, si dhe profesionistë nga industria kreative dhe teknologjia e informacionit, transmeton Gazeta Shneta.
Pjesë e kontributit ndërkombëtar ishte edhe Prof. Suzanne Suggs nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Zvicër (FHNW), e cila përmes një sesioni online ndau përvoja dhe këshilla praktike për zhvillimin e materialeve efektive të komunikimit shëndetësor.
Grupi punues, i cili ka nisur punën në fillim të prillit, do të vazhdojë angazhimin edhe në javët në vijim me synimin për të finalizuar paketën përfundimtare të materialeve edukative.
Sesioni dyditor pritet të përmbyllet nesër, duke shënuar një moment kyç në avancimin e përpjekjeve për edukim shëndetësor të bazuar në nevojat reale të komunitetit.




