Në Spitalin e Mitrovicës, foshnjat e sapolindura po përfitojnë nga një kontroll i detajuar mjekësor menjëherë pas lindjes, që përfshin ekografinë e kokës, abdomenit dhe monitorimin e rrahjeve të zemrës.
Në Repartin e Neonatologjisë, një ditë e zakonshme e punës sheh Dr. Agim Sherifin me sondën e ultrazërit në dorë, duke ekzaminuar me kujdes çdo foshnjë.
“Ky proces siguron monitorimin e hollësishëm të zhvillimit të kokës, rrahjeve të zemrës dhe organeve të tjera vitale, për të garantuar një fillim të shëndetshëm të jetës për çdo fëmijë,” thonë nga Spitali i Mitrovicës.
Vetëm këtë vit, mbi 1 700 foshnjave u është bërë kjo ekzaminim i detajuar, duke bërë që spitali të jetë një nga qendrat kryesore për kujdesin neonatal në rajon.
Ky kontroll i hershëm është i rëndësishëm për të identifikuar çdo problem potencial që mund të ndikojë në shëndetin e fëmijës dhe për të ndërhyrë në kohë, duke rritur shanset për një zhvillim të shëndetshëm dhe normal.




