Mbi 600 pacientë janë në listën e pritjes për vendosjen e stentave në Klinikën e Kardiologjisë Invazive në QKUK.
Shefi i njësisë së Invazivës në Kardiologji, Dr. Daut Gorani, ka deklaruar se pezullimi i shërbimeve gjatë pandemisë vitin e kaluar, si dhe prishja e angiografit në njërën prej sallave të kateterizimit, ka bërë që lista e pritjes të shkoj në mbi 600 pacientë.
Gorani ka deklaruar se janë duke punuar nga janari i këtij viti për të ulur numrin e pacientëve që presin për vendosjen e stentave.
“Prej 5 janarit kur janë rikthyer shërbimet, kemi filluar të thërrasim pacientët në listën e pritjes. Kryejmë çdo ditë deri në 10 raste. Fatkeqësisht ka prej tyre që kanë ndërruar jetë, ose e kanë kryer stentimin në spitalet private apo nuk duan fare të hyjnë në intervenim”, ka deklaruar Gorani në emisionin Shneta në T7 me gazetarin Bujar Vitija.
Listë të pritjes ka edhe në Klinikën e Urologjisë ku janë mbi 300 pacientë që po presin për të kryer intervenime kirurgjike.