Sipas të dhënave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, gjatë vitit 2025 Klinika e Alergologjisë ka ofruar shërbime për 6,885 pacientë.
Kështu ka njoftuar SHSKUK duke theksuar që klinika trajton sëmundje alergjike dhe imunologjike për të gjitha grupmoshat, përfshirë edhe fëmijët.
Në repart trajtohen pacientët mbi 18 vjeç, ku realizohen ekzaminime klinike, laboratorike dhe imazherike, si dhe testime dhe provokime të specializuara ndaj barnave, ushqimeve dhe substancave të tjera.
Sipas SHSKUK -së, gjatë vitit janë kryer 58 provokime medikamentoze sipas standardeve ndërkombëtare, duke përfshirë edhe testime ndaj anestetikëve të përgjithshëm dhe lokal.
Gjithashtu në njoftim theksohet se klinika ofron trajtim edhe për pacientët me Angioedemë Hereditare, një sëmundje e rrallë, për të cilën terapia është në dispozicion falë përfshirjes në listën esenciale të barnave.
Ambulanca emergjente e alergologjisë ofron shërbime 24 orë për rastet urgjente tek të rriturit dhe trajtim ambulantor për fëmijët, duke përfshirë ndihmë në situata me reaksione të rënda alergjike, përfshirë anafilaksinë./Gazeta Shneta/




