Në repartin e Pulmologjisë në Klinikën e Pediatrisë, trajtohen sëmundje respiratore të ndryshme, që vijnë nga infeksionet virale të lehta deri te bronkitet, pneumonitë dhe prenomonia.
Sipas Dr. Vlora Nimanit, shefe e këtij reparti, simptomat më të zakonshme që paraqiten te fëmijët janë “kollitja, temperatura e ulët trupore, frymarrja e vështirësuar dhe nevoja për oksigjen”, shkruan Gazeta Shneta.
“Vitin e kaluar kemi pasur gjithsej 906 fëmijë të shtrirë në repartin e Pulmologjisë. Vetëm në muajin janar të këtij viti kemi pritur 120 fëmijë, dhe muajin e kaluar numri ra në 85,” thotë Dr. Nimani.
Dr. Nimani shprehet se me kalimin e sezonit të ftohtë, numri i pacientëve ka rënë, por puna vazhdon me kapacitete të plota.
“Sezonet më të ngarkuara janë ato të dimrit, nga tetori deri në mes të marsit, kur fëmijët paraqiten më shpesh me probleme respiratore. Dr. Nimani thekson se kjo është periudha kur klinika ka më shumë ngarkesë. Në këtë periudhë, kur është sezoni i ftohtë, ka më shumë raste pulmologjike dhe klinika është vazhdimisht e ngarkuar me pacientë,” thekeson ajo.
Përveç ngarkesës, Dr. Nimani ndan edhe disa prej sfidave me të cilat përballen çdo ditë.
“Mungesa e stafit është një nga problemet kryesore. Infermierët janë në numër të pamjaftueshëm dhe kjo e bën punën më të vështirë. Pavarësisht kësaj, ne përpiqemi të menaxhojmë situatën dhe të sigurojmë kujdesin më të mirë për fëmijët që trajtojmë,” thotë ajo.
Një tjetër sfidë janë mungesat e medikamenteve, të cilat janë të përkohshme, por Dr. Nimani shpjegon se ato janë trajtuar shpejt. “Për fat të mirë, mungesat e medikamenteve janë sanuar në kohë dhe nuk ka pasur asnjë rast kur pacientët kanë vuajtur për shkak të kësaj mungese,” shton Dr. Nimani./Gazeta Shneta/
Për më shumë ndiqni videon:




