Në Repartin e Oftalmologjisë në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, gjatë vitit 2025 janë diagnostikuar gjithsej 910 pacientë përmes ultrazërit të syrit (eko-biometrisë), një metodë moderne dhe efikase diagnostikuese.
Sipas njoftimit të spitalit, ky ekzaminim është i shpejtë, pa dhimbje dhe me saktësi të lartë, duke u mundësuar mjekëve të vlerësojnë gjendjen e strukturave të brendshme të syrit, edhe në rastet kur ato janë të mbuluara nga katarakta apo gjakderdhje të ndryshme.
Mjekët theksojnë se ultrazëri i syrit paraqet një mjet esencial në diagnostikim, pasi ndihmon në përcaktimin e shkallës së kataraktës, identifikimin e problemeve në retinë, si dhe në zbulimin e trupave të huaj apo tumorëve brenda syrit.
Po ashtu, kjo metodë përdoret edhe për matje precize para vendosjes së thjerrëzave artificiale te pacientët që i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale.
Në këtë repart, ultrazëri i syrit aplikohet nga gjashtë oftalmologë, të cilët e konsiderojnë këtë teknologji si një mjet kyç për diagnostikim të saktë dhe trajtim të duhur të pacientëve./Gazeta Shneta/




