Mbi gjysmë milioni vaksina të prodhuesit Pfizer iu ka skaduar afati i përdorimit në Kosovë. Nga MSh kanë deklaruar se vaksinat nuk kanë gjetur përdorim dhe sipas tyre me situatë të ngjashme janë përballë edhe vendet tjera. Edhe në shtator 2021 mbetën pa afat përdorimi 133 mijë doza të vaksinave Astra Zeneca.
Rreth 505 mijë vaksina të prodhuesit Pfizer kanë mbetur në depon e Ministrisë së Shëndetësisë, meqë iu ka skaduar afati i përdorimit. Kjo është konfirmuar edhe nga MSh të cilët kanë deklaruar se këto vaksina nuk kanë gjetur përdorim, shkruan Gazeta Shneta.
Sipas zyrtarëve të MSh-së këto vaksina kanë qenë donacione nga shtetet tjera, ndërsa ato që janë blerë nga buxheti i shtetit, rreth 1.7 milion doza Pfizer janë përdorur pothuajse të gjitha.
“Në situata pandemie, edhe Qeveria e Kosovës/Ministria e Shëndetësisë si shtetet tjera ka qenë e obliguar të siguroj vaksina të mjaftueshme për qytetarët e vendit dhe fatmirësisht që përveç vaksinave të siguruara me buxhetin e shtetit, Kosova ka pasur edhe donacione nga shtete të ndryshme, ku nga donacionet e pranuara në pjesën e fundit të pandemisë, rreth 505.000 dozave ju ka skaduar afati i përdorimit, ngaqë nuk kanë gjetur përdorim”, kanë deklaruar nga MSh.
Nga kjo ministri janë arsyetuar poashtu se me situatë të ngjashme me skadim të afatit të vaksinave janë përballur edhe vendet tjera.
“Arsyeja pse kanë tepruar doza lidhet me ndryshimin e situatës epidemiologjie, gjegjësisht frenimit të pandemisë si rezultat edhe i vaksinimit si në nivel global ashtu edhe në atë lokal, krijimi i një imuniteti në mesin e shumicës së popullatës dhe kalimit nga situata e emergjencës Covid-19, në një situatë shumë me të qetë epidemiologjike dhe me raste sporadike të Covid-19. Fenomeni i teprimit të dozave ka ndodhur pothuaj se në çdo vend, për shkak se asnjë shtet nuk ka qenë në gjendje ta përcaktojë paraprakisht rrjedhën e situatës së pandemisë me Covid- 19”, kanë deklaruar nga MSh.
Nga ministria kanë deklaruar se nuk kanë në stok vaksina pa afat të prodhuesit Astra Zeneca. “Ndërsa rreth 170.000 doza të vaksinës Pfizer kundër Covid-19 kanë afat përdorimi edhe gjatë vitit 2024”, kanë deklaruar nga MSh.
Edhe në shtator 2021 mbetën pa afat përdorimi 133 mijë doza të vaksinave Astra Zeneca. Këto vaksina kishin qenë donacion nga shteti i Norvegjisë.
Para tre vjetësh në mars të vitit 2021 filloi imunizimi masiv i qytetarëve në Kosovë me vaksinat kundër sëmundjes Covid-19 të shkaktuar nga Sars-Cov-2. Sipas platformës ‘Our World in Data’ në Kosovë janë vaksinuar me dy doza 46.3 për qind e popullsisë. Kosova është një nga vendet me përqindjen më të lartë në rajon të vaksinimit.
Në Kosovë janë prekur nga Covid-19 mbi 274 mijë qytetarë, prej të cilëve kanë humbur jetën mbi 3200. /Gazeta Shneta/