Mbretëria e Bashkuar ka blerë më shumë se pesë milionë doza të një vaksine kundër gripit të shpendëve për njerëzit në rast se virusi mund të infektojë më shumë njerëzit dhe ka mundësi të jetë dominant për të shkaktuar një pandemi të mundshme.
Qeveria tha se ishte pjesë e planeve për t’u përgatitur për patogjenë me potencial pandemik, edhe pse nuk ka prova që gripi i shpendëve, i njohur si H5N1, aktualisht mund të përhapet midis njerëzve, raporton Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
“Është e rëndësishme që ne të jemi të përgatitur kundër një sërë virusesh të ndryshme të gripit që mund të paraqesin rreziqe për shëndetin e njeriut”, tha në një deklaratë, Dr. Meera Chand, drejtuese e fushës së infeksionit në Agjencinë e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar.
“Qasja e hershme në vaksina shpëton jetë. Shtimi i vaksinave H5 në ndërhyrjet tashmë të disponueshme për ne do të na ndihmojë të jemi gati për një gamë më të gjerë kërcënimesh”.
Kontraktimi i vaksinës në Mbretërinë e Bashkuar vjen pasi gripi i shpendëve është përhapur globalisht në vitet e fundit, duke ndikuar kryesisht në popullatat e shpendëve.
Dhe ka prekur gjithashtu disa popullata gjitarësh, dhe në Amerikën e Veriut këtë vit, ka infektuar qindra tufa lopësh qumështore dhe dhjetëra njerëz, shumica prej të cilëve punëtorë fermash.
Disa raste të fundit njerëzore janë vëzhguar gjithashtu nga afër nga shkencëtarët që po monitorojnë virusin për ndonjë mutacion që mund ta ndihmojë atë të përhapet te njerëzit.
Vaksina do të prodhohet nga kompania me bazë në Mbretërinë e Bashkuar “CSL Seqirus UK Limited”, thekson qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. /Gazeta Shneta/




