Është mbyllur dhoma e klinikës së Urologjisë në të cilën ishte e dëmtuar një pjesë e dyshemesë, pas raportimit të Gazetës Shneta. Drejtori i Klinikës Dr. Petrit Nuraj ka bërë të ditur se ka kërkuar sanimin e saj. Kjo nuk është hapësira e vetme në QKUK që dëmtohet dhe shërbimet teknike nuk ndërmarrin veprime për t’i rregulluar.
Gazeta Shneta para disa ditësh ka postuar një fotografi se si dukej një pjesë e dyshemës së prishur në një dhomë në klinikën e Urologjisë në QKUK, e pikërisht kjo dhomë tashmë është jashtë funksionit, shkruan Gazeta Shneta.
Mbylljen e dhomës deri në sanimin e dëmtimit e ka konfirmuar drejtori i Klinikës Dr. Petrit Nuraj. Ai ka thënë se kjo është hera e dytë që dyshmeja në këtë dhomë dëmtohet dhe për këtë ka kërkuar të rregullohet nga shërbimet përkatëse në SHSKUK.
“Dyshemeja në dhomën e Klinikës së Urologjisë është dëmtuar para një kohe, ku është sanuar më herët nga Shërbimet përkatëse të SHSKUK-së, kurse kohëve të fundit është dëmtuar përsëri. Pas këtij dëmtimi të dyshemesë, kemi kërkuar urgjent nga shërbimet përkatëse të SHSKUK-së për rregullimin e dyshemesë. E kemi mbyllur këtë dhomë deri sa të bëhet rregullimi i kësaj pjese të dyshemesë”, ka deklaruar Nuraj.
Ai ka bërë të ditur se janë në fazën e një plani të renovimit të hapësirave të Urologjisë, klinikë kjo e cila në vitet e fundit nuk ka pasur pothuajse asnjë investim.
“Ne edhe më herët kemi bërë disa kërkesa për renovim komplet të Klinikës së Urologjisë dhe bllokut operativ. Ditëve të fundit është miratuar Plani i Renovimit komplet të Klinikës së Urologjisë dhe bllokut operativ nga Ministria e Shëndetësisë. Ku shpresojmë që së shpejti do të filloj ky renovim komplet i Klinikës së Urologjisë”, ka deklaruar Nuraj.
Renovimin e Urologjisë e ka përmendur edhe ministri Arben Vitia në raportimin e tij para Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës. Vitia ka bërë të ditur se kanë planifikuar të invetstojnë rreth 700 mijë euro për renovimin e hapësirave të kësaj klinike.
Ndryshe Nuraj ka theksuar se Klinika e Urologjisë është qendër referente për operacionet e rënda kirurgjike për tërë Kosovën.
“Në Klinikën e Urologjisë kryhen shumë punë, duke filluar nga intervenimet më të vogla kirurgjike, intervenimet endourologjike e deri te operacionet më të mëdha kirurgjike si Cistektomitë radikale, ku këto intervenime radikale nuk kryhen në qendrat tjera Spitalore të Kosovës”, ka thënë Nuraj. /Gazeta Shneta/





