Migrena është një çrregullim neurologjik i cili prek miliona njerëz në mbarë botën. Kjo gjendje shfaqet me dhimbje koke pulsative, zakonisht të lokalizuar në njërën anë të kokës, dhe shoqërohet me simptoma të ndryshme që ndikojnë në cilësinë e jetës së pacientëve.
Dr. Melihate Pushka, neurologe në Klinikën e Neurologjisë në QKUK, shpjegon se migrena është më shumë sesa një dhimbje koke e thjeshtë, shkruan Gazeta Shneta.
“Migrena karakterizohet nga dhimbje që mund të jenë të lehta deri në shumë të forta, dhe shpesh shoqërohet me ndjeshmëri ndaj dritës, zhurmave, lodhje dhe të vjella. Këto simptoma ndryshojnë nga pacienti në pacient. Shpesh dhimbja ka natyrë pulsative,” shpjegon ajo.
Dr. Pushka thekson një aspekt teje të rëndësishëm se migrena prek më shumë femrat.
“Raporti është rreth 1 me 3 ne favor të femrave. Kjo lidhet kryesisht me ndikimin e ndryshimeve hormonale, të cilat janë më të dukshme gjatë pubertetit dhe në periudha të tjera jetësore,” sqaron Dr. Pushka.
Tutje Dr. Pushka shpjegon se përveç faktorëve hormonalë, në shfaqjen dhe përkeqësimin e migrenës ndikojnë edhe faktorë të tjerë.
“Migrena është shumëdimensionale dhe faktorët që e shkaktojnë janë të ndryshëm për secilin pacient siç janë faktorët hormonalë, sëmundjet autoimune, faktorët gjenetikë, stresi, pagjumësia dhe aktiviteti fizik”, thekson ajo. /Gazeta Shneta/
Për më shum detaje ndiqni videon:




