Stafi i Klinikës Infektive në QKUK gjatë ditës së djeshme përveç pacientëve, dje u vendos edhe në shërbim të këngëtarit Shkëlzen Jetishi.
I njohur ndryshe si këngëtari Xeni, vendosi t’iu kushtojë një këngë punëtorëve shëndetësorë të cilët po luftojnë me koronavirusin në Kosovë dhe botë. Kënga u titullua “Infermieres sime” dhe i dedikohet stafit mjekësor që po shpëtojnë jetë nga Covid-19, shkruan Gazeta Shneta.
Mjekë e infermierë u mblodhën në hyrje të Klinikës, pa mbajtur distancë dhe maska, për t’ia mundësuar Xenit të realizojë këngën dhe spotin e tij. Një pjesë e kësaj video u publikua mbrëmë nga vet këngëtari në Youtube. Para se të fillonte xhirimet e spotit, Xeni mban një fjalim para mjekëve dhe infermierëve të cilët i lavdëron për punën e tyre dhe tregon për këngën që ka vendosur ta bëj.
“Unë shpresoj që një kontribut sado i vogël i imi të jetë një motivim dhe një falënderim për gjithë punën që e keni bë”, iu është drejtuar Xeni stafit mjekësor.
Krejt ky organizim u bë me lejen e Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i MSH-së Faik Hoti. Ai ka thënë se qëllimi i kërkesës së këngëtarit ka qenë të motivoj dhe falënderoj stafin mjekësor, andaj edhe është lejuar.
“Është lejuar sepse është kuptuar si gjest falënderimi për punën që Klinika ka bërë në këtë kohë për pacientët me Covid-19. Njerëz nga fusha të ndryshme dëshirojnë t’i falënderojnë ata. Organizimi është bërë me pajtimin e klinikës dhe stafit të saj”, thuhet në përgjigjen e Hotit.
Në anën tjetër drejtoresha e Klinikës Dr. Lindita Ajazi-Berisha, e cila nuk mori pjesë në spot, thotë se kënga dhe spoti i këngëtarit ka ndikuar për të mirë tek stafi mjekësor. “Ka qenë një organizim me leje të MSH-së dhe ka ndikuar për të mirë tek stafi mjekësor. Nuk ka zgjatur shumë, rreth 1 minutë dhe prandaj edhe mbajtja e maskave dhe distancës nuk kanë qenë shumë të nevojshme”, ka deklaruar Ajazi-Berisha. /Gazeta Shneta/