Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri ka nisur një kontroll të rreptë për vijueshmërinë e mjekëve në punë. Madje këto masa vijnë edhe pas zgjedhjes së drejtorëve të institucioneve shëndetësore.
Përfaqësues të Ministrisë kanë nisur kontrollet e rrepta nëpër Qendra Shëndetësore dhe Poliklinika Specialitetesh lidhur me mos/prezencën e mjekëve në punë. Kjo gjë ka shkaktuar shumë pakënaqësi tek personeli mjekësor.
“Firmosim 3 herë në ditë. Na vijnë me lista nëpër dhoma, për të firmosur. Firmos prezencën thonë. Kjo është fyese për ne, sepse nuk jemi nxënës shkolle,” shprehet një nga mjekët për “Pro Pacientin”.
Puna e Ministrisë së Shëndetësisë për përmirësimin e sistemit shëndetësor është përqëndruar te mjekët, kjo pasi edhe në raportimin e fundit nga kjo Ministri u tha se ankesat më të mëdha nga terreni vijnë për shërbimin e personelit shëndetësor. /propacientit