Në ditët e vështira të përballjes me sëmundjen e rëndë të djalit të tyre, familja e vogëlushit Diar ka shprehur mirënjohje të thellë për përkushtimin dhe kujdesin e stafit të Onko-Hematologjisë Pediatrike në QKUK.
Në një postim në Facebook, Sebahte Shala, familjare e Diarit ka rrëfyer se gjatë ditëve të vështira të trajtimit, ata kanë ndier forcën e dashurisë, përkujdesjes dhe mbështetjes së jashtëzakonshme që kanë marrë nga mjekët dhe infermierët e kësaj klinike.
“Në këto ditë të vështira të sfidës me sëmundjen e Diarit, kemi ndier më shumë se kurrë forcën e dashurisë dhe nderimit tuaj. Ditë të mbushura me dhimbje, por edhe me prani, përkujdesje e lutje që s’harrohen kurrë”, shkruan Shala.
Shala ka përmendur me mirënjohje të veçantë Dr. Rufadijen, Dr. Enverin, Dr. Petritin, Dr. Edmond Halitin dhe gjithë stafin që u kujdesën për Diarin me përkushtim e profesionalizëm.
“Shërbimi juaj, mirësia dhe kujdesi i vazhdueshëm kanë qenë një dritë shprese për ne. Këtë mirësi do ta mbajmë gjithmonë në zemër”, shkruan tutje familja, duke shtuar se falënderimi i tyre është një thirrje për të vlerësuar punën e palodhur të stafit mjekësor që çdo ditë përballet me raste të tilla” shprehet tutje Shala.
Në fund, familja shprehet se Diari vazhdon betejën e tij me forcë dhe besim në Zot, ndërsa ata ndjehen thellësisht falënderues ndaj kujdesit që mori në Kosovë.
“Mirësinë tuaj do të doja t’ua kthej vetëm në të mira e gëzime, sepse shpërblyesi më i madh është Zoti. Lutem me gjithë zemër që Ai t’ju bekojë të gjithëve shumëfish për gjithçka që keni bërë për ne.” ka përfunduar Shala.




