Rritja e jetëgjatësisë së popullsisë po shtyn gjithnjë e më shumë sistemet shëndetësore të fokusohen te parandalimi i sëmundjeve dhe ruajtja e cilësisë së jetës në moshë të shtyrë.
Sipas ekspertëve të mjekësisë së jetëgjatësisë, sfida nuk është vetëm që njerëzit të jetojnë më gjatë, por që vitet e fundit të jetës t’i kalojnë me shëndet, pavarësi funksionale dhe energji, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Farmacistja dhe themeluesja e platformës C+Longevity, Cristina Spa, ka deklaruar se mjekësia e jetëgjatësisë po zhvillohet si një fushë e re që synon të lidhë teknologjitë moderne me praktikën klinike, duke u fokusuar në parandalimin e sëmundjeve dhe plakjen e shëndetshme.
Ajo ka paralajmëruar për rrezikun e dezinformatave që qarkullojnë në rrjetet sociale lidhur me jetëgjatësinë dhe të ashtuquajturin “biohacking”, duke theksuar se vendimet për shëndetin duhet të mbështeten në prova shkencore dhe jo në këshilla të pakonfirmuara.
Sipas saj, interesimi për këtë fushë nuk po vjen vetëm nga mjekët e rinj, por edhe nga specialistët me përvojë, të cilët e shohin mjekësinë parandaluese si një mënyrë për të reduktuar barrën e sëmundjeve kronike.
Ekspertët theksojnë se teknologjitë moderne, përfshirë orët inteligjente dhe pajisjet që monitorojnë gjumin, ritmin e zemrës dhe tregues të tjerë shëndetësorë, mund të ndihmojnë në identifikimin e hershëm të rreziqeve për shëndetin. Megjithatë, ata nënvizojnë se interpretimi i këtyre të dhënave duhet të bëhet nga profesionistë shëndetësorë.
Aktualisht, mjekësia e jetëgjatësisë konsiderohet ende një shërbim relativisht i kushtueshëm dhe jo lehtësisht i qasshëm për të gjithë. Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se me rritjen e interesimit dhe zgjerimin e trajnimeve profesionale, kjo qasje mund të bëhet pjesë më e rëndësishme e sistemeve shëndetësore në të ardhmen.
Sipas tyre, investimet në kërkime për plakjen e shëndetshme mund të ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve të lidhura me moshën dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës për miliona njerëz.


