Një peticion kundër deklarimit të pasurisë është shpërndarë sot në klinikat e QKUK-së. Në këtë peticion deklarimi i pasurisë për mjekët në nivelin dytësor dhe tretësor po konsiderohet si shantazhues dhe stigmatizues.
Një peticion kundër deklarimit të pasurisë për specialistët e nivelit dytësor dhe tretësor është shpërndarë sot në klinikat e Qendrës Klinikës Universitare të Kosovës. Përmes këtij peticioni, mjekët po kërkojnë të mos zbatohet Neni 5, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 i Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë, shkruan Gazeta Shneta.
Ky ligj ka hyrë në fuqi që nga 11 shkurti dhe i njëjti i obligon mjekët specialistë të spitaleve të nivelit dytësor dhe tretësor të sektorit publik që të deklarojnë pasurinë.
Në dokumentin e peticionit të cilin e ka siguruar Gazeta Shneta, thuhet se mjekët me këtë dispozitë janë trajtuar në mënyrë të pabarabartë meqë i njëjti nuk i obligon edhe mjëkt e nivelit parësor, si dhe profesionistët tjerë si farmacistët, stomatologët dhe të tjerët.
“Zgjerimi pa kriter i kategorive të reja nuk parandalon asgjë, por ka për qëllim shantazhimin e një kategorie të caktuar, ku nuk është qëllimi i deklarimit të pasurisë por stigmatizimi i një kategorie të caktuar të shoqërisë. Në këtë rast mjekëve specialistë dhe profesorëve universitar si kategoria më e shkolluar që është shtyllë e fortë e shtetit”, thuhet ndër të tjera në këtë peticion.
Në dokument theksohet se ky “diskriminim dhe linçim i kontribuon edhe më shumë ikjes së profesionistëve shëndetësor nga vendi”.
Mjekët e nënshkruar në këtë peticion kanë renditur edhe disa kërkesa. Ndër to është ndryshimi i dispozitës e cila i obligon mjekët që të deklarojnë pasurinë, si dhe konsultimin me komunitetin mjekësor lidhur me rregullimin ligjor të statusit të profesionistëve shëndetësor. /Gazeta Shneta/