Mjekët e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane të Mjekësisë janë shprehur të gatshëm të ndihmojnë Kosovën për menaxhimin e pandemisë.
Kështu ka njoftuar Ambasada e Kosovës në Washington, pas një takimi virtual të mbajtur me Dr. Nora Gashi, Dr. Arbër Shehu, Dr. Agron Ismaili dhe Dr. Resul Dalipi, transmeton Gazeta Shneta.
“Jemi shumë të emocionuar me gatishmërinë dhe entuziazmin e kryetares dhe anëtarëve të bordit të shoqatës për ta dhënë kontributin e tyre në përmirësimin e gjendjes së shkaktuar nga pandemia COVID-19 e cila nuk e ka lënë anash as Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Me datë 26 mars 2021 u mbajt takimi virtual me Shoqatën Shqiptaro-Amerikane të Mjekësisë, ku bashkë me përfaqësuesit e Ambasadës së Republikës të Kosovës në Washington morën pjesë Dr. Nora Gashi, Dr. Arbër Shehu, Dr. Agron Ismaili dhe Dr. Resul Dalipi.
Gjatë takimit është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit me institucionet e sistemit shëndetësor të Republikës së Kosovës dhe mundësinë e përfshirjes së ekspertëve të shëndetësisë të cilët që nga dita e parë e pandemisë COVID-19 në SHBA janë në vijën e parë të luftimit të saj.
Jemi shumë të emocionuar me gatishmërinë dhe entuziazmin e kryetares dhe anëtarëve të bordit të shoqatës për ta dhënë kontributin e tyre në përmirësimin e gjendjes së shkaktuar nga pandemia COVID-19 e cila nuk e ka lënë anash as Republikën e Kosovës.
Gjatë ditëve në vijim do ta intensifikojmë komunikimin mes shoqatës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për kontributin dhe ndërlidhjen me institucionet relevante shëndetësore në SHBA, ndërsa jemi jashtëzakonisht krenarë për punën e shkëlqyeshme që mjekët tanë po e bëjnë në SHBA dhe kudo tjetër që ata kanë mundësi ta ofrojnë ekspertizën e tyre.