Dr. Merita Rrahmani përmes një thirrje publike në Facebook për Ministrinë e Shëndetësisë, ka thënë se duhet të reagohet për mbrojtjen e kategorive të rrezikuara nga gripi i derrave dhe Covid-19.
“Ajo që më bën kurioze është sjellja e Ministria e Shëndetësisë apo Oda e Mjekëve të Kosovës në raport me personelin mjekësor dhe fakti që ende nuk kanë reaguar për mbrojtjen e kategorive të ndjeshme si: shtatzënat, personat me sëmundje kronike dhe personat me diagnoza onkologjike.
Nëse raportohet se për një mjek ka 50-80 deri në 100 pacientë me semundje ngjitëse brenda ditës, atëherë cili është rreziku për shëndetin e këtyre personave që njihen si kategori të ndjeshme?”, ka shkruar Rrahmani.
Lexoni reagimin e saj të plotë:
Stafi mjekësor ka bërë betimin për të ndihmuar njerëzit në nevojë, dhe çdo ditë punojmë dhe kontribuojmë për të përmbushur detyrat tona! Disa prej nesh njihen ende me nofka si “mjekët e Covid”, dhe disa nga anëtarët e stafit mjekësor kanë mbetur vetëm kujtime, duke lënë pas një bagazh të madh angazhimi në punë dhe jetë.
Sot jemi dëshmitarë të një fluksi të madh personash me grip. Siç duket, nuk bëhet fjalë vetëm për një lloj gripi, por sipas konfirmimeve nga vetë klinika infektive, bëhet fjalë për viruse si: influenza, covid dhe gripi i derrit.
Ajo që më bën kurioze është sjellja e Ministria e Shëndetësisë apo Oda e Mjekëve të Kosovës në raport me personelin mjekësor dhe fakti që ende nuk kanë reaguar për mbrojtjen e kategorive të ndjeshme si: shtatzënat, personat me sëmundje kronike dhe personat me diagnoza onkologjike.
Nëse raportohet se për një mjek ka 50-80 deri në 100 pacientë me semundje ngjitëse brenda ditës, atëherë cili është rreziku për shëndetin e këtyre personave që njihen si kategori të ndjeshme?
Pse nuk vlerësohet dhe nuk ka kujdes për personelin shëndetësor apo patjetër duhet të ketë një përkeqësim të gjendjes shëndetësore, abort apo edhe në raste më të rëndë edhe vdekjen, për të marrë masa adekuate apo lehtësim në punë!?
Shpresoj që kjo thirrje e imja të merret parasysh nga ministria dhe institucionet dhe të merren masat adekuate që të kemi një ambient ku kujdesemi denjësisht për njëri-tjetrin!




