Mjekja shtatzënë, e cila u sulmua nga qentë endacakë brenda oborrit të Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), është në gjendje stabile dhe po vazhdon trajtimin në Klinikën e Kirurgjisë Plastike.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Shneta zëdhënësja për komunikim në QKUK, Mirlinda Qyqalla, e cila bëri të ditur se pacientja ka marrë menjëherë ndihmën e nevojshme mjekësore pas incidentit që ka ndodhur rreth orës 08:00 të mëngjesit.
Sipas saj, pas trajtimit fillestar në Qendrën Emergjente, pacientja është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, ku po vazhdon të jetë nën përkujdesje të vazhdueshme mjekësore.
“Menjëherë pas ngjarjes, ekipet mjekësore të Qendrës Emergjente, kanë ofruar ndihmën e nevojshme shëndetësore. Aktualisht pacientja është nën përkujdesje profesionale në Klinikën e Kirurgjisë Plastike dhe gjendja e saj është stabile, sipas mjekëve.” është shprehur Qyqalla.
Nga QKUK është theksuar gjithashtu se çështja e pranisë së qenve endacakë në hapësirat e këtij institucioni është ngritur disa herë tek Komuna e Prishtinës, por përkundër angazhimit të komunës për largimin e tyre, prapë se prapë nuk është eliminuar tërësisht prezenca e qenve endacakë
“QKUK ka adresuar shqetësimet e saj përmes shkresave zyrtare drejtuar Komunës së Prishtinës, duke kërkuar ndërmarrjen e masave konkrete për trajtimin dhe menaxhimin e qenve endacakë në këtë zonë. Përkundër angazhimit të komunës për largimin e tyre, prapë se prapë nuk është eliminuar tërësisht prezenca e qenve endacakë” ka thënë tutje Qyqalla./Gazeta Shneta/




