Një mjek i një spitali privat është emëruar me vendim tw ministrit Arben Vitia në Komitetin Specialistik të ORL-së në vend të drejtorit Arsim Behramaj i cili është mësimdhënës në katedër dhe drejtor i klinikës.
Arsim Behramaj i cili është drejtor i Klinikës së ORL-së dhe mësimdhënës në katedër, është hequr nga Komiteti Specialistik në këtë klinikë. Në vend të tij është emëruar një mjek i një spitali privat, shkruan Gazeta Shneta.
Emërimi i mjekut i cili punon në spitalin privat është bërë me vendim të ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia më 23 tetor të këtij viti.
Për largimin e tij Behramaj është ankuar edhe në Ministrinë e Shëndetësisë. Ai e ka quajtur të padrejtë largimin e tij për faktin se është kandidat për PhD, jep mësim në katedër që 23 vite dhe është drejtor i klinikës që dy vite.
Por kështu nuk po mendon kryesuesi i Bordit për Shkollim Specialistik Edmond Haliti. Ai i ka thënë gazetës se emërimet në komitete bëhen nga ministri, pas propozimeve të ardhura nga Odat e Profesionistëve Shëndetësor dhe me rekomandimi të Bordit për Shkollim Specialistik.
Në fakt sipas Udhëzimit Administrativ 01/2023 për shkollim specialistik, Neni 7 cili përcakton kriteret për emërimin e anëtarëve të komiteteve, vetëm njëri nga anëtarët propozohet nga odat e profesionistëve shëndetësor.
“Komitetet Specialistike tashmë kishin konsumuar mandatin e tyre të paraparë me dispozitat ligjore dhe natyrshëm është paraqitur nevoja e riemërimit të Komiteteve të reja, ndërsa të gjitha propozimet e më pas emërimet, janë bërë në respektim të kushteve dhe kritereve që parasheh UA 01/2023. Prandaj nuk bëhet fjalë për zëvendësime, por për emërime të ekipës së re të komiteteve (dhe jo vetëm atij në ORL me Oftalmologji), pas kontributit profesional dhe konsumimit të plotë të një mandati nga ana e ish Komiteteve specialistike”, ka deklaruar Haliti.
Haliti dhe as Ministria e Shëndetësisë, nuk kanë sqaruar se nga kush është propozuar anëtar i cili është mjek në spitalin privat.
Sipas Nenit 7 të UA-së, pika 2 përcakton kriteret kryesore të qenit anëtar i komitetit. “Anëtar i Komitetit emërohet specialisti i lëmisë përkatëse me përvojë prej së paku pesë (5) vite dhe anëtar i rregullt i Katedrës përkatëse (Universiteti i Prishtinës) ose të ketë përvojë pune mbi 7 vjeçare si specialist i fushës dhe të ketë grade shkencore, Dr. Sci”, thuhet në këtë pikë.
Por në rastin e ORL-së kjo pikë është anashkaluar dhe ndonëse Behramaj i ka plotësuar kriteret sipas kësaj pike, Bordi dhe ministri e kanë anashkaluar duke emëruar anëtar me kritere të përafërta sipas pikës 3. “Në rast të mosplotësimit të kritereve nga paragrafi 2 Bordi propozon anëtarin e komitetit në bazë të kritereve të përafërta”, thuhet në pikën 3 të Nenit 7 në UA.
As për këtë çështje Haliti dhe MSh nuk kanë dhënë sqarime. /Gazeta Shneta/