Dy qytetarëve iu janë ngatërruar rezultatet e analizave në laboratorin e IKSHPK-së, për shkak të një gabimi në modulin elektronik.
Dy qytetarë pasi kryen analiza në laboratorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, i morën rezultatet e ngatërruara të personave tjerë, shkruan Gazeta Shneta.
Atyre iu është thënë se ka ndodhur një gabim në sistemin elektronik dhe më pas janë sqaruar.
Këtë gabim në sistem e kanë pranuar edhe nga IKSHPK, të cilët kanë thënë se është intervenuar në sistem dhe qytetarëve iu janë dhënë rezultatet përkatëse.
“Bazuar në kërkesën tuaj, menaxhmenti i IKSHPK-së ka zhvilluar bisedë me personelin përgjegjës për lëshimin e rezultateve në IKSHPK, dhe bazuar në informatat e pranuara, ka patur dy raste ku nga personeli i IKSHPK-së është hasur në mos-përputhje në mes të të dhënave të pacientit dhe barkodit të testit. Personeli përgjegjës në IKSHPK ka ndërmarrë veprime përmirësuese të menjëhershme, dhe rezultati adekuat ju ka lëshuar të dy palëve”, kanë deklaruar nga ISHPK.
Nga ky institucion kanë thënë se moduli i ri elektronik ka filluar të përdoret nga muaji tetor dhe është kërkuar nga operatori ekonomik që e mirëmbanë atë, të intervenohet për të mos u përsëritur gabimi.
“IKSHPK ka filluar nga muaji tetor 2023 me modulin e ri informativ laboratorik dhe është në kontakt me operatorin ekonomik, që ka zhvilluar dhe mirëmbanë këtë modul, për të gjetur arsyet e paraqitjes së kësaj mos-përputhje teknike”, kanë deklaruar nga IKSHPK. /Gazeta Shneta/




