Motra e shefit të Personelit në QKUK është pranuar në punë në pozitën punëtore sociale në Klinikën e Pediatrisë. Shefi i Personelit Skender Shabani ka mohuar të ketë ndikuar në konkurs. Nga menaxhmenti i SHSKUK-së/QKUK-së për këtë proces e kanë lënë barrën tek ankesat e kandidatëve
Sektori i Personelit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës më datën 13 dhjetor të vitit të kaluar ka shpallur një konkurs për pranimin e katër punëtorëve social në dy klinika, Pediatri dhe Psikiatri, shkruan Gazeta Shneta.
Sektori i Personelit i cili e ka udhëhequr këtë proces rekrutimi, udhëhiqet nga shefi Skender Shabani. E në konkurs kandidate ishte edhe motra e Shabanit, e cila veçse është e punësuar në QKUK qe një kohë, por u pranua si punëtore sociale në Klinikën e Pediatrisë.
Kandidimin dhe pranimin e saj në punë e ka pranuar vet Shabani, por ai ka thënë se nuk ka ndikuar në këtë proces. “Ajo punon që 25 vjet këtu dhe unë nuk muj me ndalu askënd me konkuru”, ka deklaruar Shabani.
“Veç le të thotë ndonjë anëtar i Komisionit që unë jam interesuar me i than dikujt diçka dhe unë jap llogari. Por unë nuk kam të drejt me ia cenu të drejtën për me konkuru askujt. Unë as që kam tentuar me i than dikujt diçka. Komisionin e bën drejtori i përgjithshëm. Në e përgatitim teknikisht, por atë e bën drejtori. Këtu ka shumë persona që kanë të punësuar familjarë të tyre, por askush nuk mundet me ia mohu të drejtën”, ka deklaruar Shabani.
Motra e tij mban diplomën e juristes dhe për këtë Shabani ka thënë se në të kaluarën kanë pasur një interpretim nga Inspektorati i Punës sipas të cilit mund të punësohen në këtë pozitë.
“Ajo është me fakultet Juridik dhe për këtë e kemi pas një interpretim më herët për këtë nga Inspektorati i Punës”, ka thënë ai.
Kryesuesi i komisionit përzgjedhës Agim Gjeli i cili është vartës i Shabanit, i ka thënë Gazetës Shneta se konkursi nuk është përshtatur për të pranuar në këtë pozitë motrën e shefit të tij. Ai ka mohuar të ketë pasur diskriminim ndaj kandidatëve tjerë.
“Jo nuk ka pasur diskriminim, kandidatët e pakënaqur kanë të drejt ankese sipas këshillës juridike në vendimet përkatëse”, ka thënë Gjeli. Por në Vendimet e publikuara në webfaqen e SHSKUK-së, askund nuk gjendet këshilla juridike për ankesa të cilën e përmend Gjeli në përgjigjen e tij.

Gazeta e ka pyetur për këtë çështje edhe menaxhmentin e SHSKUK-së dhe QKUK-së, por përgjigjja e tyre e lë barrën tek kandidatët e pakënaqur që të ushtrojnë ankesë.
“Procedurat e konkurseve iniciohen dhe udhëhiqen nga Zyra e Personelit,drejtoria e përgjithshme e SHSKUK-së, nuk ndërhyn në konkurse. Pas zhvillimit të procedurave të rregullta, palët e pakënaqura e kanë të drejtën të zhvillojnë ankesë për lëshimet apo parregullsi eventuale gjatë procedurave. Në QKUK poashtu, ekziston zyrtari sinjalizues tek i cili palët mund të paraqesin shqetësimet eventuale, pasi që drejtoria e përgjithshme nuk ndërhynë në procesin e konkurseve”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së/QKUK-së. /Gazeta Shneta/




