Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar Klinikës së Neonatologjisë që t’i përshtatë specifikat e tenderit sipas një drafti që e kishte përpiluar Njësia Koordinuese e Projektit me Bankën Botërore. Nga MSH janë arsyetuar se kërkesat për specifika bëhen për të qenë të pranueshme për financuesin e projektit, në këtë rast BB-në. Nga kjo e fundit kanë thënë se kanë vetëm rolin e mbikëqyrësit të zbatimit të projektit dhe nuk merren me çështje të tjera.
Kjo është hera e tretë që po tentohet që Klinika e Neonatologjisë të bëhet me autoambulancë për transport të foshnjave të lindura para kohe dhe të cilat kanë nevojë për transferim në këtë klinikë. Por edhe këtë herë tenderi po del të jetë me disa telashe, shkruan Gazeta Shneta.
Autoambulanca është planifikuar që të blihet përmes fondeve të kredisë nga Banka Botërore në kuadër të “Projektit Emergjent Covid-19”. Ky projekt implementohet nga Njësia Koordinuese e cila nuk i ka pranuar specifikat e përpiluara nga një grup punues i Klinikës së Neonatologjisë në QKUK.
Gazeta ka marr vesh nga burime se një zyrtar i NJKP-së i ka vlerësuar këto specifika si “dështim” i projektit. Më pas NJKP e ka përpiluar një draft të ri me specifika, të cilat MSH i ka kërkuar Neonatologjisë që t’i përshtasë sipas nevojave të veta.
Nga MSH janë arsyetuar se këto kërkesa bëhen me qëllim që specifikat të jenë neutrale dhe të pranueshme për financuesin e projektit, në këtë rast Bankën Botërore.
“Për secilin furnizim/blerje me fondeve të Projektit, specifikat teknike janë subjekt i rishikimit dhe i aprovimit paraprak nga Banka Boterore. Si rezultat, qarkullimi i kërkesave duke përfshirë edhe specifikat teknike janë normale deri në kënaqshmërinë e financuesit për të krijuar specifika teknike të pranueshme, neutrale dhe për të lejuar pjesmarrje konkurruese të prodhuesve të vendit dhe të huaj.”
“Për të gjitha finacimet me fonde të Projektit, njoftimet për tenderët janë publike dhe ato publikohen në veb faqe ndërkombëtare si dgMarket, UNDB online si dhe në veb faqe të MSH-së. Gjithashtu, publikohen edhe njoftimet për dhënie, furnitorët dhe çmimet e kontraktuara. Lenda ne fjale eshte duke u pergatitur dhe do te behet edhe njoftimi publik, perfshire vleren dhe detajet e tjera”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Gazetën Shneta.
Nga MSH nuk kanë treguar arsye konkrete pse nuk janë pranuar specifikat nga Klinika e Neonatologjisë, dhe nëse drafti i specifikave nga NJKP është punuar nga një zyrtar i caktuar.
“Ne pergjigjet paraprake u eshte shpjeguar se specifikat teknike duhet te jene te pranueshme per financuesin e projektit, neutrale dhe qe lejojne pjesemarrje konkurruese te prodhuesve nga vendi dhe te huaj. Specifikat perpilohen nga ekipi i eksperteve te BB, jo nga nje individ dhe varesisht per cfare pajisje behet fjale dhe per cfare fushe si dhe te njejtat rishikohen dhe marrin aprovimin nga financuesi qe ne kete rast eshte Banka Botorore”, është thënë në përgjigjen e MSH-së.
Nga Banka Botërore kanë deklaruar se ky institucion merret vetëm me mbiëkqyrjen e zbatimit të projektit, ndërsa për detaje të tjera kanë kërkuar që t’i drejtohemi me pyetje MSH-së.
“Faleminderit për interesimin tuaj. Ju lutemi keni parasysh se Ministria e Shëndetësisë është agjencia zbatuese e Projektit të Emergjencës COVID-19 të Kosovës, i cili financohet nga Banka Botërore përmes një kredie koncesionare. Agjencia zbatuese, në këtë rast Ministria e Shëndetësisë, është përgjegjëse për zbatimin e projektit, duke përfshirë kryerjen e të gjitha aktiviteteve të prokurimit dhe punësimit, sipas marrëveshjes ndërkombëtare të ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, dhe përmes njësisë së saj të caktuar për zbatimin e projektit. Banka Botërore mbikëqyr zbatimin sipas mandatit të saj. Për aktivitetin e prokurimit të cilit po i referoheni, ju lutemi drejtojini pyetjet tuaja Ministrisë së Shëndetësisë dhe Njësisë së saj për Zbatimin e Projektit”, thuhet në përgjigjen e Bankës Botërore.
Në anën tjetër drejtoresha e Klinikës së Neonatologjisë Dr. Hajrije Ismaili ka thënë se specifikat të cilat i kanë punuar së bashku me një grup profesional, janë nxjerr pas shfletimit të literaturës.
“Nga Klinika e Neonatologjise nje grup profesional ka bere shfletimin e literatures dhe ka nxjerr specifikacione per autoambulante neonatale duke u bazuar ne evidencen e praktikave me te mira. Poashtu kemi pasur asistence me specifikacione nga ana e ‘Project Hope’, respektivisht kolege nga Holanda qe kane asistuar edhe ne Maqedoni. Kete material e kemi percjellur ne Drejtorine e SHSKUK-se dhe Ministrine e Shendetesise”, ka thënë Ismaili.
Ajo e ka pranuar se pasi i kanë dorëzuar specifikat, e kanë pranuar një draft tjetër të cilin e kanë vlerësuar edhe me kolegë nga shërbimet biomjekësore në QKUK.
“Ne nderkohe na jane percjellur specifikacione te punuara nga ekspert te Bankes Boterore, dhe ne bashkepunim dhe asistence nga ana e kolegeve te sherbimeve biomjeksore kemi konsideruar se jane adekuate”, ka thënë Ismaili.
Drejtoresha e Neonatologjisë ka theksuar se shërbimi i transportit neonatal është shumë i rëndësishëm për klinikën dhe për uljen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë.
“Sherbimi i transportit neonatal eshte pjese integruese e sherbimeve neonatale i cili funksionon nga periferia ne qender. Si ide fillestare per nje sherbim te avansuar profesional nga qendra ne periferi eshte qe nga mesuesit tone te nderuar Prof Muje Shala dhe Dr Mynavere Hoxha te cilet kane dhene kontribut te jashtezakonshem edhe ne kete fushe per te vazhduar tutje ne, per jetesimin e sherbimit te avansuar referues neonatal ne Kosove. Natyrisht, stabilizimi i foshnjeve dhe percjellja e tyre nga personel i specializuar neonatal do te ndikoj dukshem ne uljen e vdekshmerise dhe semundshmerise neonatale”, ka deklaruar Ismaili.
Ajo ka thënë se klinika ka kapacitete infrastrukturore por ka përmendur faktin se në Kosovë ka mungesë të neonatologëve.
“Klinika ka kapacitete infrastrukturore dhe personeli edhe pse deficitar ne nivel te Kosoves duke shpresuar ne te ardhme te afert te plotesohet me gjenerata te reja, besoj te organizohemi mire si gjithmone duke ofruar sherbime cilesore neonatale ne cdo njesi ku veprojmë”, ka thënë Ismaili.
Kjo është hera e tretë që tentohet që kjo klinikë të furnizohet me autoambulancë për transport neonatal. Dy të parat nuk i kishin plotësuar kushtet për t’u përshtatur për nevojat e këtij shërbimi. /Gazeta Shneta/