Ministria e Shëndetësisë ka shpërblyer me kontratë kompaninë “Meditech” për insulinat analoge.
Ministria e Shëndetësisë gjatë ditës së djeshme ka marr vendim për ta shpërblyer kompaninë “Meditech” me kontratë për insulinat analoge, shkruan Gazeta Shneta.
MSH i ka dhënë kësaj kompanie tre lotet për insulina të cilat kapin shumën prej mbi 6.5 milionë euro. Lot 2 është në vlerë 913,315 euro është nënshkruar në muajin mars, ndërsa për Lot 1 në vlerë 1,144,726 dhe Lot 3 në vlerë 4,456,908, MSH ka marr vendim gjatë ditës së djeshme.
Vendimi i MSH-së vjen pasi Organi i Shqyrtimit Publik e riktheu lëndën në rivlerësim pas ankesës së kompanisë “Pharma Leader” e cila ofertoi për Lot 1 dhe 3 me rreth 400 mijë euro më lirë sesa “Meditech”.
Ky operator nuk kishte Autorizim Marketing të regjistruar në Kosovë për produktet e ofruara, por OSHP e arsyetoi vendimin për rikthimin e lëndës në rivlerësim pasi “Pharma Leader” kishte ofruar dëshmi për “Autorizim Letter” nga kompania “Eli Lilly Export S.A” me seli në Zvicër, si dhe nga përfaqësuesi i autorizuar në Shkup “Forma Trejd”.
Megjithatë MSH sërish ka vendosur që kontratën t’ia jap kompanisë “Meditech”. Pas këtij vendimi pritet të bëhet furnizimi me insulina të cilat në muajin e fundit munguan në disa prej qendrave të mjekësisë familjare në komuna. /Gazeta Shneta/