Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka pajisje të cilat janë jashtë funksionit si pasojë e prishjeve, por edhe pajisje të cilat nuk ka kush të punojë me to.
Agron Boshnjaku, zyrtar për pajisje mjekësore, thotë se nuk ka ende drejtime për kuadro të bio-inxhinierëve në Kosovë, dhe sipas tij, kjo po paraqet problem për shëndetësinë kosovare.
“Kosova për fat të keq nuk ka ende kuadro të fakulteteve ku studentët mësojnë bio-inxhinieri mjekësore. Dhe kjo është një e metë e madhe e shtetit tonë që nuk mendon t’i ketë bio-inxhinierët e vet dhe kjo është një rrezik shumë i madh. Për këtë arsye shteti duhet të prodhojë kuadro të reja, sepse Kosova do të ketë shumë problem për inxhinierë të rinj”, ka thënë Boshnjaku
Ndërsa, dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Isak Shabani, thotë se kur të aplikojnë për programe të reja të studimeve është paraparë që disa lëndë të lidhin mjekësinë me inxhinierinë.
“Në të ardhmen do të kemi lëndë dhe jemi duke përgatitur kuadro. Dy profesoresha i kemi që janë drejtuar në bio-inxhiniering të pjesa e elektromagnetikes. Pastaj me kalimin e programit të ri të studimeve mund të ofrojmë kuadro edhe për mjekësinë edhe ato ndërlidhjet që i kanë për pajisjet mjekësore dhe për ndërhyrje”, ka thënë Shabani.
Radio Kosova ka kërkuar nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës të dijë se kur pritet të ketë programe dhe kuadro të reja për bio-inxhinieri, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje./Rtklive/




