Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës Dr. Pleurat Sejdiu, ka treguar detaje në lidhje me financimin që Qeveria e Luksemburgut do ta bëj për ndërtimin e ndërtesës për odat e profesionistëve shëndetësorë.
Sejdiu ka treguar se organizata LuxDev do ta financojë këtë projekt me 500 mijë euro, ndërsa si shenj falënderimi ndërtesa do ta mbajë emrin “Duka i Madh i Luxemburgut”. “Po, mund ta konfirmoj se në Takimin e fundit të Komitetit Drejtues të Projektit të LuxDev, nën udhëheqjen e Ministrit Ismaili dhe në prezencë të Ambasadores së Luxemburgut dhe Zyrtarëve të MPJ të Luxemburgut, pas një periudhe me plot aktivitete dhe studimit të fizibilitetit edhe është aprovuar buxheti për fazën e ardhshme të Projektit ku në mesin e vijave tjera është edhe financimi i ndërtimit të ndërtesës së Odave të Profesionisteve shëndetësorë”, ka deklaruar Sejdiu.
Ai ka treguar se kjo ndërtesë do të ketë përafërsisht 2200-2500 metra katrorë, ku përveç hapësirave për zyra do të ketë amfiteatro, salla për punëtori dhe hapësira përcjellëse hotelierike. “Për momentin, kontributi i Qeverise së Luxemburgut prej 500.000 eurosh do të i shtohet edhe kontributi i Odave prej 150.000 eurosh. Pjesa e odave është e ndarë varësisht prej hapësirave të kërkuara. Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka marr vendim për shumën me të cilën do të kontribuoj”, ka deklaruar Sejdiu në përgjigje me shkrim.
Kryemjeku i Kosovës ka treguar se gjatë kontakteve me komunën e Prishtinës është rekomanduar që ndërtimi të bëhet në hapësirën afër Instituteve B të QKUK-së. Tanimë ky lokacion është kërkuar edhe zyrtarisht nga Ministria e Shëndetësisë në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
“Me realizimin e këtij projekti, shpresojmë deri në fund të vitit 2020, profesionistët shëndetësorë do kenë shtëpinë e vet dhe nuk do kemi nevojë të paguajmë qira për kongrese, simpoziume dhe punëtori të ndryshme”, ka deklaruar Sejdiu. Ai ka falënderuar për përkrahje minsitrin Ismaili, zyrtarët e projektit të LuxDev, Qeverinë e Luksemburgut dhe kolegët e tij nga odat e tjera. /Gazeta Shneta/