Ndihma globale për shëndetësi për vendet me të ardhura të ulëta ka rënë në mënyrë drastike, duke arritur nivelin më të ulët që nga viti 2009, sipas një analize të re nga Instituti Amerikan për Matjen dhe Vlerësimin e Shëndetit (IHME).
Financimi arriti kulmin në vitin 2021 me 80.3 miliardë dollarë, por në vitin 2025 ka rënë në 38.4 miliardë dollarë, një ulje e ndjeshme që pritet të vazhdojë deri në vitin 2030, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Shtetet e Bashkuara kanë bërë shkurtimet më të mëdha, duke planifikuar të reduktojnë ndihmën e jashtme për shëndetësi me 67% krahasuar me vitin 2024.
Përveç SHBA-së, edhe Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Franca kanë ulur ndjeshëm financimin, duke e zhvendosur fokusin në mbrojtje apo për shkak të shqetësimeve të brendshme për mënyrën e shpenzimit të fondeve.
Ndërkohë, vende si Australia, Japonia dhe Koreja e Jugut kanë rritur pak ndihmën, ndërsa ndihma nga Kanadaja, Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ka mbetur e pandryshuar.
Shkurtimet mund të cënojnë përparimet shumëvjeçare në luftën kundër HIV/AIDS-it, malaries dhe tuberkulozit.
Po ashtu, pritet të rrezikohet qasja në kujdesin për shtatzëni, shëndetin e fëmijëve dhe sigurinë ushqimore e ujore në vendet më të varfra, veçanërisht në Afrikën Sub-Sahariane.
Sipas studiuesve, zotimet e reja për financim nuk mjaftojnë për të mbuluar boshllëkun që lënë këto shkurtime. /Gazeta Shneta/




