Bashkimi Evropian e ka ndihmuar Kosovën me material për validimin e testeve për koronavirus për laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.
“Kosova sapo ka pranuar materialin për kalibrimin e testeve për Covid-19 nga ‘EU Science HUB’. Materiali është i nevojshëm për të vërtetuar rezultatet e Covid-19 dhe të sigurojë se personat e infektuar diagnostikohen saktë. Materiali i dhuruar është i mjaftueshëm për të vërtetuar 60 mijë teste”, thuhet në njoftimin e BE-së në Twitter.
Kujtojmë se diagnostikimi i virusit SARS-CoV-02 në Kosovë bëhet me metodën Real Time PCR në laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, ku rezultatet e testeve arrihen brenda 4 orëve.
Në Kosovë deri më tani janë testuar gjithsej 5.372 mostra të dyshimta, prej të cilave 630 kanë rezultuar pozitive. Të paktën 19 viktima të infektuar me koronavirus janë shënuar deri më tani në Kosovë. /Gazeta Shneta/