Agjërimi mund të ketë efekte pozitive për pacientët që kanë probleme me traktin gastrointestinal duke ndihmuar në uljen e aciditetit në lukth, reduktimin e inflamacionit dhe përmirësimin e florës bakteriale që ndikon pozitivisht në shëndetin e përgjithshëm. Kështu ka bërë të ditur gastroenterologu i QKUK-së Dr. Jeton Bytyqi.
Sipas tij, dhimbja e lukthit gjatë agjërimit është një simptomë e zakonshme sidomos në ditët e para, shkruan Gazeta Shneta.
“Tek pacientët që kanë probleme gastrike, kjo dhimbje shfaqet si pasojë e vakteve të rralla dhe pauzave të gjata, kur stomaku mbetet bosh dhe tkurrjeve muskulore të barkut për shkak kohëzgjatjes pa ushqim. Kjo dërgon në krijimin spazmave apo dhimbjeve”, shprehet ai.
Megjithatë Dr. Bytyqi shpjegon se nëse dhimbjet e lukthit vazhdojnë dhe përcillen me simptoma si të vjella të vazhdueshme, të vjella me ngjyrë të errët ose me gjak duhet t’i kushtohet vëmendje dhe të kërkohet ndihmë mjekësore.
“Nëse dhimbja nuk kalon dhe përkeqësohet duhet të konsultohet me një mjek sepse mund të jetë si pasojë e një ulçere aktive”, theksoi Dr. Bytyqi.
Tutje Dr. Bytyqi rekomandon që personat që agjërojnë por që kanë probleme gastrike duhet të jenë të kujdesshëm në konsumimin e ushqimeve.
“Buka integrale, buka e zezë, orizi, patatet e ziera, përdorimi i hurmave përmbajnë shumë fibra, pastaj dhe perimet si karotat ndihmojnë në tretje më të lehtë”, tha ai.
Ndërkaq sipas gastroenterologut, disa ushqime duhet shmangur për të parandaluar dhimbjet e lukthi si: ushqimet pikante, ushqimet e gazuara, pastaj frutat si limoni, portokalli, mandarina, pastaj perimet dhe çokolloadat – të cilat nxisin sekretimin e acidit në lukth, shtoi tutje Dr. Bytyqi.
Për këto dhe detaje të tjera ndiqni videon më poshtë:




