Close Menu
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Psikologji
  • Logopedi
  • Fizioterapi
Facebook X (Twitter) Instagram
Facebook X (Twitter) YouTube
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Më shumë
    • Psikologji
    • Logopedi
    • Fizioterapi
Gazeta ShnetaGazeta Shneta

Ndryshimet mes listës preliminare dhe përfundimtare tronditin disa kandidatë për Mjekësi të Përgjithshme

Lajme 17/07/2026
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Reddit Email Telegram
Shpërndaje
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Email Telegram

Disa kandidatë që besonin se ishin pranuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, kanë mësuar në ditët e fundit se emrat e tyre nuk figurojnë më në listën përfundimtare. Disa prej tyre e kishin bërë publike “pranimin” në rrjete sociale. Tani, familjarët po kërkojnë përgjegjësi.

Publikimi i listës përfundimtare të pranimit në Fakultetin e Mjekësisë, dega Mjekësi e Përgjithshme, ka sjellë një valë emocionesh të forta te disa kandidatë dhe familjet e tyre. Krahasimi mes Listës Preliminare dhe Listës Përfundimtare tregon se disa kandidatë, që fillimisht ishin renditur brenda kuotës prej 158 vendeve, tani janë jashtë saj, ndërsa po aq të tjerë kanë hyrë në vendin e tyre, shkruan Gazeta Shneta.

Për disa nga kandidatët e prekur, ndryshimi ka ardhur si goditje e papritur — aq më e vështirë sa kishin filluar tashmë ta festojnë “pranimin” e tyre.

“U bë gati për trajtim nga psikiatri”

Nëna e njërës prej kandidateve tregon se vajza e saj është shokuar thellë kur ka parë se emri i saj është hequr nga lista përfundimtare, pasi fillimisht kishte qenë brenda kuotës së pranimit dhe e kishte marrë këtë si të mirëqenë.

“Ishte aq e prekur, sa ishim gati ta çonim për trajtim te psikiatri,” thotë ajo, duke përshkruar ditët e para pas publikimit të listës së re.

Sipas saj, edhe dy kandidatë të tjerë të prekur nga i njëjti ndryshim kanë kaluar nëpër tronditje të ngjashme emocionale. Familjarët e tyre thonë se situata i ka lënë të pambrojtur dhe pa përgjigje, pasi askush nuk i kishte paralajmëruar për mundësinë që renditja të ndryshonte pas publikimit të listës preliminare.

Familjarët: “Kjo është arsyeja pse të rinjtë ikin”

Zhgënjimi i familjeve të prekura ka shkuar përtej rastit konkret. Disa prej tyre e lidhin këtë ngjarje me një çështje më të gjerë — mungesën e besimit te drejtësia dhe barazia e trajtimit brenda vendit.

“Kjo është pikërisht arsyeja pse të rinjtë po e lëshojnë Kosovën dhe po kërkojnë shkollim e drejtësi në vendet e Evropës,” thonë disa nga familjarët, duke shprehur zhgënjim që një proces kaq të rëndësishëm si pranimi në Fakultetin e Mjekësisë mund të përmbajë ndryshime të tilla pas publikimit të parë të rezultateve.

Familjarët kërkojnë përgjegjësi konkrete: pse ka ndodhur gabimi në çelësin e përgjigjeve, dhe pse lista preliminare është publikuar pa u verifikuar plotësisht të gjitha rezultatet paraprakisht — një hap që, sipas tyre, do të kishte kursyer dhjetëra familje nga një pritje dhe zhgënjim i panevojshëm.

Fakulteti i Mjekësisë: Gabime në çelës dhe formulim të përgjigjeve në Kimi

Fakulteti i Mjekësisë ka deklaruar se, sipas konkursit dhe procedurave në fuqi të Universitetit të Prishtinës, lista preliminare nuk përbën rezultatin përfundimtar të pranimit, pasi ajo i nënshtrohet më pas fazës së ankesave dhe rivlerësimit. Brenda afatit të parashikuar, kandidatët kanë pasur të drejtë të paraqesin ankesa, të cilat janë shqyrtuar nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave, në bashkëpunim me komisionet profesionale të lëndëve përkatëse.

Si rezultat i këtij shqyrtimi, organet kompetente kanë vendosur korrigjimin e çelësit të përgjigjeve në dy raste — një në Biologji dhe një në Kimi (Testi B) — dhe kanë bërë rivlerësimin e rezultateve për të gjithë kandidatët e prekur nga këto korrigjime.

Fakulteti thekson se vendimet “janë zbatuar në mënyrë të njëjtë, të plotë dhe pa asnjë përjashtim për të gjithë kandidatët që ndodheshin në të njëjtën situatë, duke respektuar parimet e ligjshmërisë, trajtimit të barabartë, objektivitetit dhe transparencës.” Si pasojë, kanë ndryshuar pikët dhe renditja e disa kandidatëve, gjë që është reflektuar në listën përfundimtare.

Në përgjigjen e tyre theksohet gjithashtu: “nuk është marrë asnjë vendim individual për ndryshimin e rezultatit të ndonjë kandidati dhe nuk është bërë asnjë ndërhyrje selektive në rezultatet e provimit.”

“Nuk është e saktë të thuhet se kandidatët janë penalizuar,” përgjigjet Fakulteti. Sipas tyre, lista preliminare nuk është listë përfundimtare sipas procedurës së konkursit, pasi pas publikimit të saj zhvillohet procedura e ankesave dhe rivlerësimit.

Pas shqyrtimit të ankesave dhe zbatimit të vendimeve të organeve kompetente, janë rivlerësuar rezultatet e të gjithë kandidatëve të prekur nga korrigjimet e miratuara. Kjo ka bërë që disa kandidatë që fillimisht ishin brenda kuotës së pranimit, të mos mbeten më brenda numrit të vendeve të lira, ndërsa të tjerë të renditen mbi pragun e pranimit.

Fakulteti insiston se kjo “nuk përbën penalizim, përjashtim apo trajtim të ndryshëm të ndonjë kandidati,” por është rezultat i zbatimit të njëjtë të vendimeve për të gjithë kandidatët e prekur. Në përgjigje shtohet: “askush nuk është larguar nga lista për arsye disiplinore, administrative apo subjektive; renditja përfundimtare ka ndryshuar vetëm si rezultat i procedurës së rivlerësimit të parashikuar në konkurs.”

A është e vërtetë se disa pyetje fillimisht kishin vetëm një përgjigje të saktë, e më pas u pranuan si të sakta dy përgjigje?

Po, konfirmon Fakulteti — por sipas tyre kjo ka ndodhur brenda kornizës së procedurës së ankesave. Disa kandidatë kanë paraqitur pretendime lidhur me pyetje të caktuara të testit, të cilat janë shqyrtuar nga komisionet profesionale të lëndëve dhe nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave.

Për pyetjen nr. 17 në Kimi (Testi B), komisioni profesional “ka vlerësuar se ekzistonin elemente të mjaftueshme profesionale për të pranuar si të vlefshme edhe alternativën tjetër të përgjigjes. Bazuar në këtë vlerësim profesional, organet kompetente kanë vendosur që, për efekt të procedurës së rivlerësimit, të pranohen si të vlefshme të dyja alternativat e përgjigjes.”

Ky vendim, sqaron Fakulteti, “nuk është zbatuar vetëm për kandidatët që kanë paraqitur ankesa, por është aplikuar në mënyrë të njëjtë për të gjithë kandidatët që kishin zgjedhur secilën nga këto alternativa.”

Në mënyrë të ngjashme, në Biologji (Testi B, pyetja nr. 1), komisionet kompetente kanë vendosur korrigjimin e çelësit të përgjigjes, i zbatuar në mënyrë të njëjtë për të gjithë kandidatët e prekur.

“Nuk bëhet fjalë për ndryshim të rregullave të testit pas zhvillimit të provimit, por për zbatimin e procedurës së parashikuar të shqyrtimit të ankesave dhe rivlerësimit profesional.”

Sipas FM-së, procedura e shqyrtimit të ankesave është pjesë përbërëse e procesit të pranimit. Kandidatëve që kanë paraqitur ankesë u është mundësuar të verifikojnë fletën origjinale të testit dhe kopjen e saj, në prani të Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave dhe Komisionit për Përpilimin e Pyetjeve, me mundësi krahasimi të përgjigjeve me çelësin dhe paraqitjeje të vërejtjeve brenda afateve.

Ky proces verifikimi është zhvilluar në ambientet e Fakultetit, thonë ata, “në kushte transparence, me mundësi përcjelljeje edhe nga prindërit dhe kandidatët e interesuar.” Raporti përfundimtar i Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave është bërë publik dhe ka shërbyer si bazë për hartimin e listës përfundimtare.

“Nuk ka pasur vendime të fshehta, ndryshim të kritereve të konkursit, zbatim selektiv të vendimeve apo trajtim të ndryshëm të kandidatëve jashtë procedurës së parashikuar.”

Në fund të përgjigjes së tyre, nga Fakulteti i Mjekësisë thonë se gjithë procesi — organizimi, administrimi, vlerësimi dhe shqyrtimi i ankesave — është zhvilluar në përputhje me konkursin dhe aktet normative të Universitetit të Prishtinës. Procedura e ankesave dhe rivlerësimit, sipas tyre, është “pjesë përbërëse dhe e rregullt e procesit të pranimit,” me qëllim që çdo pretendim të shqyrtohet nga organet kompetente dhe rezultati përfundimtar të pasqyrojë vendimet profesionale të marra gjatë kësaj procedure.

Nga FM kanë deklaruar se asnjë kandidat “nuk është favorizuar, diskriminuar apo trajtuar ndryshe mbi baza individuale,” dhe se lista përfundimtare pasqyron thjesht rezultatin e procedurës së rivlerësimit. Procesi, konkludojnë ata, është administruar “duke respektuar parimet e ligjshmërisë, objektivitetit, transparencës, barazisë së trajtimit dhe integritetit akademik”. /Gazeta Shneta/

Artikulli paraprakPublikohet numri i ri i Revistës së Stomatologëve të Kosovës, me punime shkencore dhe profesionale
Artikulli i rradhës Një ndikim i fshehur te emocionet e vajzave adoleshente: Testosteroni mund të lidhet me rritjen e ankthit dhe simptomave depresive

Ju sugjerojmë

Publikohet numri i ri i Revistës së Stomatologëve të Kosovës, me punime shkencore dhe profesionale

17/07/2026 Lajme

Venezuelë: Rritet numri i viktimave nga tërmeti, shkon në 4,930

17/07/2026 Lajme

IKSHPK me apel për qytetarët: Mbroni veten nga temperaturat e larta, shmangni daljet nga ora 11:00 deri në 17:00

17/07/2026 Lajme

Gjenden pa shenja jete një grua në Mitrovicë dhe një burrë në Vushtrri

17/07/2026 Lajme

E premtja shumë e nxehtë, temperaturat arrijnë në 34°C

17/07/2026 Lajme

Vogëlushi nga Kosova kalon me sukses operacionin e zemrës në Duisburg

16/07/2026 Lajme
Na ndiqni
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • YouTube
Rreth nesh
Rreth nesh

Gazeta Shneta është produkt medial që i kushtohet vetëm shëndetësisë.

Këshillat mjekësore të postuara nga Gazeta Shneta janë të natyrës edukative.

Kontakt

Email: [email protected]

Adresa: Rr. Vicianum, PN, Prishtinë

Marketing

Email: [email protected]

Tel: +383 44 701 781

Përmbajtja

Gazeta Shneta është e hapur ndaj partnerëve të marketingut.

Linqe

Privacy Policy

Facebook X (Twitter) Instagram YouTube
© 2026 Gazeta Shneta

Shkruani fjalën dhe klikoni Search/Enter për të kërkuar. Klikoni X për ta anuluar.