Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit për Programin për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike dhe Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Në këtë raport janë evidentuar parregullësi në menaxhimin e buxhetit dhe aprovimin e rasteve nga FSSh dhe Bordi Ekzekutiv të TPJISHP-së që nga viti 2019. Ndërsa në këtë auditim mungojnë raportet e obligimeve dhe barazimeve të FSSh-së me spitalet private brenda dhe jashtë Kosovës.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e performancës së Programit për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike dhe Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Në këtë raport është theksuar se në bazë të rezultateve të auditimit, FSSH dhe Bordi Ekzekutiv i Programit për TPJISHP, “nuk ishin efektiv në procesin e menaxhimit të subvencionimit të pacientëve për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike”, thuhet në raport, transmeton Gazeta Shneta.
Auditimi i këtyre dy institucioneve vartëse të Ministrisë së Shëndetësisë ka prekur periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2022. Brenda kësaj periudhe ZKA ka gjetur plot parregullësi në procedurat e aplikimit, lëshimit të vendimit për fletzotime si dhe vlerësimit nga Bordi i TPJISHP-së.
Në raport ka edhe mangësi sikurse rasti kur ZKA i referohet një raporti të komisionit për evidentimin e borxhit të FSSh-së ndaj spitaleve brenda dhe jashtë Kosovës. Por në raport thuhet se Fondi nuk i ka dhënë qasje në këtë raport.
“Në muajin mars të vitit 2023 Zëvendës Drejtori i Fondit kishte themeluar një grup punues për verifikimin e obligimeve të mbetura nga Programi (grupit i ishin shtuar anëtarë shtesë gjatë muajit prill). Detyrë kryesore e këtij grupi punues ishte përgatitja e një raporti financiar të detajuar për obligimet e mbetura ndaj spitaleve private brenda dhe jashtë vendit që kanë trajtuar pacientët e financuar nga Programi. Periudha e punës për këtë grup ishte nga 27 prilli deri me 27 qershor 2023. Ndër detyra tjera, ky grup duhet të verifikoj aprovimet e bordit për trajtim të pacientëve, analizimi i shumave të paguara, verifikimi i pretendimeve, kërkesave dhe faturave të lëshuara për shërbimet e kryera, etj. Ne kemi kërkuar edhe raportin e grupit punues më shumë se një herë, mirëpo nuk kemi marrë përgjigje nga Fondi. Prandaj edhe është e pamundur që ne të japim një mendim për saktësinë e kësaj shume”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Në raport nuk përmendet ndonjë arsye e refuzimit të FSSh-së për t’i dhënë qasje në këtë dokumentacion.
Në raport përmendet edhe një komision i barazimeve financiare i formuar në vitin 2019, por që i njëjti kishte bërë barazimin vetëm për spitalet private brenda Kosovës.

“Komisioni për barazime ka arritur të identifikojë mjetet e lira vetëm për pagesat e realizuara në spitalet e Kosovës. Nga mjetet e paguara në këto spitale (në vlerë 2,119,985 euro), Komisioni kishte identifikuar mjeteve të lira në shumë prej 408,810 euro. Për periudhën 2019-2022, Bordi kishte aprovuar raste të rregullta në shumë 12,858,691 euro, ndërsa komisioni kishte arritur të barazojë vetëm 16,4% të shumës së aprovuar nga Bordi”, thuhet në raport.
Sipas ZKA-së si rrjedhojë e mungesës së barazimeve, nuk është arritur të kthehen mbrapsht paratë e tepërta të paguara tek spitalet jashtë shtetit të Kosovës.
“Komisioni i barazimeve ende nuk ka arritur të identifikojë se sa është vlera e mjeteve që janë paguar më tepër se sa ishte e nevojshme, prandaj edhe nuk ka arritur të ktheje mbrapa mjetet e tepërta të paguara kundrejt spitaleve jashtë shtetit të Kosovës”, thuhet në raport.
ZKA ka konfirmuar në raport se FSSh ka detyrime kontigjente mbi 28 milionë euro të grumbulluara që nga viti 2019.


“Sipas Raportit Vjetor Financiar për vitin 2022, detyrimet (faturat) e papaguara janë në vlerë totale prej 2,855,510 euro (248,695 euro që ishin ende brenda afatit ligjor për pagesë apo nën 30 ditë, ndërsa 2,606,815 euro kishin kaluar këtë afat). Nga kjo vlerë 2,838,506 euro apo mbi 99% i takojnë kategorisë së transfereve dhe subvencioneve apo për Programin. Ndërsa detyrimet e prezantuara si detyrime kontigjente kishin një vlerë prej 28,983,353 euro. Kjo shumë sipas Fondit paraqet shumën e fletë-zotimeve të lëshuara ndër vite, mirëpo që nuk janë prezantuar asnjëherë më parë. Ne kemi kërkuar disa herë analitiken e kësaj shume nga Fondi, mirëpo nuk na është ofruar dëshmi rreth dokumentimit të kësaj shume”, thuhet në raport.
Në raport konstatohet se FSSh kishte dështuar të bëj evidentimin e rasteve edhe pas trajtimit.
“Sikurse shihet nga tabela më sipër, për 102 rastet pa faturë, nuk është bërë barazimi i shumës, pra shuma prej 1,305,626 euro ka mbetur e pa barazuar në spitale të ndryshme dhe Fondi dhe nuk dihet nëse ka ndonjë mjet të pashfrytëzuar. Ndërsa sa i përket pjesës me fatura, kjo vlerë është paguar aq sa edhe janë faturat. Vetëm nga rastet që ishin pjesë e mostrës së auditimit për periudhën 2019-2022 rezulton se mbi 89% e pagesave të realizuara nuk kanë ende fatura edhe përkundër faktit se jemi në gjysmën e dytë të vitit 2023 dhe pagesat në fjalë u takojnë viteve 2019-2022”, thuhet në raport.
Aprovim i diagnozave që nuk janë në Udhëzim Administrativ
ZKA për këtë auditim është bazuar në Ligjin për Shëndetësi dhe në Udhëzimin Administrativ 03-2017. Megjithatë raporti ka disa lëshime sikurse në rastin kur diagnoza “Leukemi Akute” i referohet si diagnozë jashtë UA-së, e që në fakt kjo sëmundje gjendet në udhëzim dhe e njëjta subvencionohet nga buxheti i programit.
Sipas ZKA-së Fondi i Sigurimeve Shëndetësore dhe Bordi i TPJISHP-së kanë aprovuar raste për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike edhe kur nuk i kanë plotësuar kriteret sipas Udhëzimit Administrativ 03/2017.

“Edhe pse Udhëzuesi Administrativ për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike (tutje Udhëzuesi) kur specifikon kriteret për kualifikim të një lënde për aprovim nuk është mjaftë i qartë, Bordi kishte aprovuar lëndë pa i plotësuar kriteret dhe Fondi kishte proceduar të njëjtat për pagesë. Në anën tjetër Bordi kishte refuzuar lëndë me arsyetimin se nuk i plotësonin disa kritere kur me të njëjtat specifika kishte bërë aprovime”, thuhet në raportin e ZKA-së.
“Pavarësisht që Bordi kishte identifikuar raste që diagnozat e referuara nuk ishin pjesë e listës së shtojcës 1 të Udhëzuesit, megjithatë, kishte aprovuar këto raste. Referimi dhe aprovimi i diagnozave që nuk janë pjesë e Udhëzuesit lë hapësirë për trajtim jo të barabartë të pacientëve, krijon paqartësi për pacientin se cilat diagnoza realisht i mbulon Programi dhe nxitë rritjen e referimeve të rasteve, diagnozat e të cilëve mund të trajtohen në kuadër të IShP-ve. Kjo praktikë, po ashtu rrezikon që mjetet e ndara për Program mos të shpenzohen për qëllimin e dedikuar dhe mos të përfitojnë pacientët që realisht nuk mund të trajtohen në IShP”, thuhet në raport.

Tutje ZKA ka gjetur poashtu se konziliumet e QKUK-së kanë referuar raste edhe kur nuk kanë qenë në pajtim me qëllimet e programit për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike.
“Arsyet e referimit nga Komisioni Konziliar nuk ishin gjithmonë në pajtim me qëllimet për të cilat është themeluar Programi. Nga analizimi i raporteve konziliare është vërejtur se një numër i madh i rasteve janë referuar për arsye se shërbimi nuk mund të ofrohej momentalisht nga ana e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (tutje QKUK) apo IShP-ve. Arsyet e referimit ishin: mungesë e materialit, mungesë e kushteve teknike, mungesë e resurseve njerëzore apo mungesa e neuro-anesteziologut. Këto referime ishin bërë për 45 raste apo afër 15% e rasteve të audituara”, thuhet në raport. /Gazeta Shneta/




