Në QMF “Ereniku” në Gjakovë u hap sot për herë të parë Shërbimi i Kujdesit Paliativ, i cili ofron ndihmë dhe përkujdesje profesionale për pacientët me sëmundje kronike të avancuara dhe terminale, si dhe për familjarët e tyre.
Në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Ereniku” në Gjakovë u inaugurua sot për herë të parë Shërbimi i Kujdesit Paliativ. Ky shërbim ofron ndihmë dhe përkujdesje profesionale për pacientët me sëmundje kronike dhe të avancuara si dhe të atyre terminale duke përfshirë këtu edhe mbështetje emocionale dhe psikologjike për familjarët e tyre, transmeton Gazeta Shneta.
Kjo nismë jetike është bërë e mundur falë bashkëfinancimit përmes Projektit Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH), që financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
Përfaqësuesi i këtij projekti, Nicu Fota, theksoi rëndësinë e partneritetit të qëndrueshëm me komunat për të përmirësuar shërbimet shëndetësore dhe për të ngritur standardet e kujdesit për pacientët.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, tha se ky shërbim shënon një hap përpara për kujdesin ndaj qytetarëve, duke e vënë theksin te nevoja për trajtim me dinjitet dhe përkushtim për të gjithë.
Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale dhe qëndrore të shëndetësisë.
Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjakovë, Adelina Shehu Kola, theksoi se shërbimi i ri është një hallkë e domosdoshme në sistemin shëndetësor, duke u ofruar qytetarëve kujdes të gjithanshëm dhe dinjitoz.
Ndërkohë, Shaban Osmani nga niveli qendror e cilësoi këtë iniciativë si model për komunat e tjera, duke e vlerësuar bashkëpunimin ndërinstitucional si një shembull konkret të përkujdesjes për qytetarët.

Shërbimi i kujdesit paliativ nënkupton ofrimin e kujdesit dhe mbështetjes për pacientët me sëmundje të rënda ose kronike që nuk mund të kurohen.
Ky kujdes ka për qëllim lehtësimin e dhimbjeve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës, duke përfshirë ndihmën fizike, emocionale, psikologjike dhe shpirtërore si për pacientët ashtu edhe për familjarët e tyre. /Gazeta Shneta/




