Komuna e Prizrenit ka njoftuar se në shkollat e këtij qytetit, kanë filluar vizitat sistematike mjekësore të nxënësve.
Sipas një njoftimi zyrtar të komunës së Prizrenit, thuhet se kryetari i qytetit, Shaqir Totaj ka takuar ekipet e mjekëve, mësimdhënësve dhe nxënësit në SHFMU “Emin Duraku”, përcjell Gazeta Shneta.
“Shëndeti mbi të gjitha! Kështu u shpreh Kryetari Shaqir Totaj gjatë vizitës në SHFMU “Emin Duraku”, me drejtoreshën e DKA-së, Luljeta Veselaj-Gutaj dhe drejtoreshën e DSH-së, Burbuqe Berisha, ku filluan vizitat sistematike mjekësore të nxënësve, me ç’rast takuan ekipet mjekësore, mësimdhënësit e nxënësit dhe ndoqën nga afër këtë proces”, thuhet në komunikatë.

Mes tjerash, kryetari Totaj ka thënë se shëndetësia është prioritet i qeverisjes së tyre.
“Është detyrë e jona që t’i ruajmë fëmijët dhe të kujdesemi për brezat e rinj, pasi, shëndetësia dhe mirëqenia e qytetarëve është prioritet i qeverisjes sonë”, potencohet tutje në komunikatë. /Gazeta Shneta/





