Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Arben Vitia tha sot se Kosova dhe partnerët ndërkombëtare patën një bashkëpunim të jashtëzakonshëm në reagimin ndaj virusit korona Covid-19, dhe kjo ndikoi, përveç tjerash, që edhe pasojat e këtij infeksioni të jenë më të vogla në Kosovë. Në këtë aspekt, ai falënderoi edhe Qeverinë e Italisë për përkrahjen që i dha Kosovës në reagimin kundër Covid-19.
Këto komente Ministri Vitia i bëri gjatë një takimi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku bashkë me ushtruesin e detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla, Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando dhe kolonelin David Colussi të Armatës Italiane morën pjesë në prezantimin e përkrahjes së dhëne nga Republika e Italisë për institucionet e Kosovës në reagim ndaj pandemisë Covid-19.
“Pandemia ndryshoi mënyrën tonë të jetës, na sensibilizoi dhe na bëri më të afërt me njëri- tjetrin. Pandemia pos që na ndryshoi mënyrën e jetës, na sensibilizoi dhe na bëri më të afërt dhe të bëhemi më shumë human dhe të respektojmë njëri- tjetrin. Një bashkëpunim i jashtëzakonshëm brenda Kosovës, duke filluar nga ata që ishin në vijën e parë të frontit, e bëri të mundur që ne si Kosovë të tejkalojmë mirë këtë pandemi, mirëpo një ndihmë e jashtëzakonshme ka qenë ajo nga miqtë ndërkombëtarë. Me këtë rast Italia, si nga vendet jo shumë që kanë kontribuar në shëndetësi, në këtë situatë Italia u përballë më këtë pandemi, qëndrimi pranë nesh e bënë që të jemi më falënderues që na ndihmuan dhe na qëndruan afër nesh”, tha ministri Vitia.
Ambasadori italian Nicola Orlando tha se ndihma e Italisë u vlerësua lart nga përfaqësues të Republikës së Kosovës, sidomos duke e ditur situatën në të cilën kaloi Italia në përballje me virusin Corona. “Është e nevojshme edhe më tej që të kemi kujdes, me që ekspertët paralajmërojnë edhe një valë të dytë të Coronavirusit. Është e rëndësishme që mos ta ulim gardën në këtë fazë, kur ekspertët paralajmërojnë valën e mundshme të dytë të përhapjes së virusit në tërë botën. Distancimi social dhe pajisjet personale mbrojtëse si këto që po i dhurojmë sot janë çelës për suksesin e vazhdueshëm në parandalimin e përhapjes së Coronavirusit në Kosovë”, tha Ambasadori Orlando.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla falënderoi shtetin italian për ndihmën e dhënë vendit tonë. “Jemi në momente më të mira sesa ato në disa muaj që po përballeshim më një armik të panjohur. Për një qeveri të re është përballur më sfida të mëdha më këtë armik të panjohur. Mendojmë për një normalitet prandaj ju falënderoj për ndihmën tuaj në lidhje me dezinfektimin në zyrave të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe e cila përfundo me këto ndihma në QKUK”, tha ai.
Shefi i kontingjentit ushtarak italian, David Colussi tha se mes dy vendeve u dëshmua një bashkëpunim shumë i mirë. “Bashkëpunimi dypalësh i vendosur ndërmjet nesh u tregua i efektshëm dhe do të vazhdojë edhe sot”, tha koloneli Colussi.
Falënderues për ndihmën e dhënë Kosovës, u shpreh edhe drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu, i cili tha se përkundër luftës ndaj pandemisë që po përballet ky shtet e ndihmoi edhe Kosovën.
Ministria Italiane e Mbrojtjes kontribuoi përmes një ekipi të specializuar 9-antarësh të Regjimentit të 7-të të Mbrojtjes KBRN(Kimike-Biologjike-radiologjike-Nukleare) të Armatës Italiane, i cili bëri sanitimin e mbi 50 objekteve publike në 34 lokacione të ndryshme në Kosovë gjatë dy javëve të fundit, ndërkohë që kanë ofruar pajisje mbrojtëse edhe për Klinikën Infektive të QKUK-së.
Gjithashtu, para fillimit të pandemisë me ndihmën e Qeverisë italianë është përuruar edhe laboratori i Mikrobiologjisë në këtë klinikë.