Më datat 14-15 prill në Tiranë do të organizohet Kongresi Mbarëkombëtar: ‘Kujdesi gjatë shtatzënisë dhe lindjes’.
Nën patronatin e Dr. Astrit Bimbashit, në kryeqytetin shqiptar për herë të tretë do të organizohet ky kongres i cili edhe kësaj radhe premton prezantime profesionale nga emrat më eminent të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës.
Lexoni më poshtë njoftimin e plotë për organizimin e këtij kongresi:
“TË NDERUAR KOLEGË!
Kemi kënaqësinë t’Ju ftojmë të merrni pjesë në Kongresin e III-të Kombëtar “KUJDESI GJATË SHTATZËNISË DHE LINDJES”, që do të zhvillohet në Datat 14-15 Prill 2017, në Tirana International Hotel, në Tiranë.
Ky eveniment organizohet nga Shoqata Shqiptare e Shëndetit të Traktit Riprodhues (ShShTR) dhe Shoqata Shqiptare e Neonatologjisë (ShShN), nën patronazhin e Fondacionit të Mjekësisë Fetale (Fetal Medicine Foundation – FMF), Universitetit të Mjekësisë, SUOGJ “Koço Gliozheni”, në bashkëpunim me Qëndrën Kombëtare të Edukimit në Vijim – QKEV.
Pjesë mjaft e rëndësishme e këtij eventi do të jetë prania e lektorëve të huaj, të cilët do të ndajnë me ne eksperiencat dhe opsionet më të përditësuara mbi diagnozën dhe trajtimin e problematikave në fjalë.
PREZANTIMET SHKENCORE/POSTERAT
Ju njoftojmë se gjithkush prej jush mund të bëhet pjesë e këtij eventi, përmes pjesëmarrjes dhe/ose prezantimit të studimeve tuaja konform tematikave të këtij Kongresi, që do të prezantohen dhe/ose botohen në buletinin shkencor zyrtar të Kongresit. Ju vëmë në dijeni se afati përfundimtar i dorëzimit të abstrakteve është data 10 mars 2017. Bashkëngjitur po ju dërgojmë në mënyrë të specifikuar dhe kriteret e pranimit të abstrakteve.
KRITERET METODIKE DHE KOHORE TË DORËZIMIT TË ABSTRAKTEVE
ÇRREGULLIMET HIPERTENSIVE GJATË SHTATZËNISË
Kriteret diagnostike dhe opsionet e trajtimit të HTA kronik/Gestacional
Përqasje të reja mbi përkufizimin dhe klasifikimin e preeklampsisë
Nocionet e reja mbi fizpatologjinë e preeklampsisë
A mund të parandalohet preeclampsia? Impakti i screening-ut për preeklampsi?
Prioritetet udhëheqëse në menaxhimin e preeklampsisë
KUFIZIMI I RRITJES FETALE
Kriteret diagnostike të KRF
Opsionet e reja në menaxhimin e KRF
KRF në këndvështrimin e neonatologut
Kujdesi për të porsalindurit me KRF, çfarë kemi ndryshuar
Impakti i KRF në moshën adulte, Teoria e “Programimit Fetal”
Kriteret e pranimit të abstrakteve:
Duhet të dorëzohet në dy gjuhë, në shqip dhe anglisht.
Nuk duhet të ketë më tepër se 400 fjalë (maksimumi 2000 karaktere)
Abstrakti duhet të përmbajë: titullin, emrat e autorëve, hyrjen, materiali dhe metodat, rezultatet, konkluzioni dhe referencat. Të gjithë këta elementë duhet të jenë të shkruar me bold.
Shkrimi i përdorur të jetë Times New Roman, Font (madhësia e karakterit) = 12.
Dita e fundit e pranimit të abstrakteve: 10 mars 2017
Pranimi i studimit tuaj do të konfirmohet 2 javë pas dorëzimit të Abstraktit
Ju mirëpresim!
Për çdo paqartësi jeni të lutur të kontaktoni në:
[email protected]
si dhe të vizitoni faqen tonë në
www.shshtr-al.com
Kryetari i Bordit Organizativ të KONGRESIT
Prof. Dr. Astrit Bimbashi
e-mail: [email protected]”.