Nënkryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës (OMK), Dr. Rrezart Halili, ka marrë pjesë në shënimin e 100-vjetorit të Asociacionit Panhelenic të Mjekëve, i cili u mbajt më 13 dhjetor 2025 në Athinë, me ftesë të organizatorëve.
Gjatë kësaj ngjarjeje ndërkombëtare u prezantua rrugëtimi historik i Asociacionit Panhelenic të Mjekëve, ndërsa u diskutua edhe për sfidat aktuale dhe zhvillimet e ardhshme të profesionit mjekësor në kontekst global, përcjell Gazeta Shneta.
Në kuadër të qëndrimit në Athinë, Dr. Halili zhvilloi një takim me Dr. Jacquline Kitulu, Presidente e Shoqatës Botërore të Mjekëve (World Medical Association – WMA). Gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe për mundësinë e anëtarësimit të Odës së Mjekëve të Kosovës në WMA.
Kjo pjesëmarrje konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt rritjes së prezencës ndërkombëtare të OMK-së dhe avancimit të interesave profesionale të mjekëve të Kosovës në organizata mjekësore ndërkombëtare. /Gazeta Shneta/




