Kanë kaluar vetëm pak ditë që kur në Klinikën e Neurokirurgjisë u krye një operim që nuk ishte kryer më parë në sallat e QKUK-së.
Një bashkëpunim në mes kësaj klinike në krye me dr. Besnik Elshani dhe profesorit të njohur të kirurgjisë nga Shqipëria, dr. Mentor Petrela, krijoj një urë lidhëse mes Prishtinës dhe Tiranës, për krijimin e mundësive me të mira shëndetësore në Klinikën e Neurokirurgjisë.
Në një intervistë për Gazeta Shneta, Elshani tregon se ky bashkëpunim është vetëm fillimi i krijimit të një hapësire bashkëkohore në shëndetësi.
“Është bërë një hap i rëndësishëm, i dëshirushëm nga të gjithë dhe i pranueshëm nga të gjithë, një marrëveshje shumë e rëndësishme bilaterale mbarëkombëtare”, tha ai.
Mes tjerash Elshani tregoi që kjo marrëdhenie me profesorin Petrela është kryer edhe në bashkëpunim të vashdueshëm me Ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi dhe drejtorin e ShSKUK, Valbon Krasniqi.

“Paraprakisht kemi bërë një mbledhje të përbashkët dhe një koordinim për një platform të ardhshme dhe një projekt të ardhshëm se si duhet të jetë një neurokirurgji moderne në Prishtinë, përkrahja e profesor Petrelës është jashtëzakonisht e madhe, fillimisht në operimin e parë që e kryem në Prishtinë ai tregoj që e ka vullnetin e mirë për të na ndihmuar”, theksoi Elshani për Gazeta Shneta.
E, sipas drejtorit qëllimi kryesor i këtij bashkëpunimi është që ky operim të mos jetë i fundit, por që ndërhyrje të tilla të rralla të kryhen më shpesh në Klinikën e Neurokirurgjisë.
“Qëllimi i këtij bashkëpunimi është që të kryhen edhe operime të tjera, është fjala për patologji të tjera të cilat nuk janë bërë më parë, mirëpo kjo sigurisht kërkon edhe një specifik tjetër, do të thotë që të kryhen këto operime duhet të kemi edhe funksionalizimin me aparatura të reja”, tha ai.
Ndërkaq, Elshani tregon që bashkëpunimi do të mundësoj edhe trajnimet e përbashkëta për ekipet e të dy klinikave, asaj në Tiranë dhe në Prishtinë.
Krijimi i një hapësirë më bashkëkohorë punuese për Elshanin është mjaftë e nevojshme, e kjo pasi që kryerja e operimeve të rralla, pajisjet më moderne, trajnimi i stafit, të gjitha do të shërbenin që pacientët të merrnin të gjitha shërbimet në të njejtën klinikë.
E, sipas tij kjo gjë do të ndihmonte që shumë pacientë të mos kenë nevojë që të referohen për shërim jashtë vendit.
“Në tre vjeçarin e fundit janë referuar pacientë jashtë vendit me një kosto rreth dy milionë euro, buxhet i ndarë nga Ministria e Shëndetësisë. Por nësë këtë gjë e përkthejmë në atë çka na nevojitët ne, në aparatura, atëherë sigurisht që me një gjysëm të kësaj kostoje ne do të furnizoheshim me këto aparatura dhe më nuk do t’i kushtonte buxhetit të Kosovës që të trajtoj pacientë jashtë vendit, sepse do trajtohen pacientët në klinikën tonë”, u shpreh ai.
Gjithsesi, Elshani thekson se përfitimi do të ishte i dyfishtë pasi kjo zgjidhje do mundësonte trajtim për pacientët brenda Kosovës, trajnim për stafin por edhe kursim të buxhetit shtetëror.
Po ashtu, synimi i Elshanit është bashkëpunimi edhe me klinikat e QKUK-së, madje ai thekson që synon të krijoj mbledhje të përbashkëta. Kjo për arsyje që të diskutohet rreth trajtimit të përbashkët të pacientëve dhe krijimit të një ambienti bashkëpunues në të mirë të të hospitalizuarve./Gazeta Shneta – Krenare Hoxha/




