Drejtori i SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu ka rritur llogaridhënien tek drejtorët e klinikave të QKUK-së me anë të një formulari për vlerësimin e arritjes së objektivave dhe përmbushjes së detyrave të tyre
Në dhjetor të vitit të kaluar dhe gjatë muajit janar, ai ka bërë vlerësimin e performancës së drejtorëve në pesë fusha të ndryshme, ku përfshihet menaxhimi, aspekti profesional, shkruan Gazeta Shneta.
Sejdiu ka përzgjedhur edhe metodën e vlerësimit duke i notuar drejtorët me notë nga 1 deri në 5. Disa prej tyre janë krenuar që kanë marr notën e shkëlqyeshme, ndërsa disa të tjerë janë shprehur të pakënaqur me këtë metodë.
Madje një prej drejtorëve, i cili nuk ka dashur të prononcohet me emër, ka thënë se kjo metodë e vlerësimit është e papranueshme. “Ka mbet veç edhe prindërit me na thirr, po na trajton sikurse të ishim nxënës të shkollës fillore”, ka deklaruar ky drejtor.
Me notën e dobët 1, drejtorët vlerësohen pamjaftueshëm dhe ngecje në përmbushjen e detyrave të punës; me notën 2 drejtorëve vlerësohen mjaftueshëm duke përmbushur disa nga objektivat e tyre.
Me notën 3 vlerësohen ata drejtorë që kanë përmbushur një numër të caktuar të detyrave; me notën 4 vlerësohet përmbushja e objektivave të përcaktuara me planin e punës, ndërsa me notën 5 vlerësohet tejkalimi i të gjitha pritshmërive.
Kjo është hera e parë që drejtorët e klinikave vlerësohen në këtë mënyrë nga drejtoria e përgjithshme. Në formular janë vlerësuar fushat e kompetencave në integritet, ekspertizë teknike, delegim dhe mbikëqyrje, planifikim dhe kontroll, punë ekipore dhe komunikim.
Nga ky vlerësim pritet të ketë edhe shkarkime të drejtorëve, por menaxhmenti do t’iu jap kohë që t’i përmirësojnë detyrat e tyre. /Gazeta Shneta/